Kurti dhe Abdixhiku takohen në Kuvend
Kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku kanë arritur në Kuvend.
Kurti i ka dërguar ftesë sot të tri partive të ish-opozitës, por vetëm kreu u LDK-së i është përgjigjur pozitivisht, shkruan Zeri.info.
Kurti dhe Abdixhiku pak minuta më herët kanë arritur në Kuvend, ku pritet të mbahet takimi, si një përpjekje e radhës për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve.
Kurti tha se takimet me Abdixhikun janë përpjekje normale për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Kur të kemi marrëveshje politike nga ana ime do të keni edhe material për lajme. Takimet me LDK-në nuk janë më lajm. Janë përpjekje normale për t’i konstituuar institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha Kurti.
Po ashtu, edhe Abdixhiku para takimit tha se fokusi mbetet te përmbushja e obligimeve kushtetuese.
“Do të vazhdojmë me punët tona që duhet të bëjmë që të konstituohet Kuvendi. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit. Po më lejoni të shkoj në takim, e pas takimit do të deklarohem”, tha ai. /Zëri

