PDK: Kurti po e vendos interesin partiak mbi Kushtetutën e Kosovës
Foto: Laura Hasani

PDK: Kurti po e vendos interesin partiak mbi Kushtetutën e Kosovës

Aktuale August 07, 2026 - 18:52

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas caktimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për nesër, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të radhës të rendit kushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje.

PDK-ja, nëpërmjet një kumtese, ka shprehur shqetësimin për mosrespektimin e afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, njofton Dukagjini.

Sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se ky afat përfundon sonte.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon sonte. Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, thuhet në reagimin e PDK-së.Sipas PDK-së, në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare vendosi ta shpërfillë aktgjykimin e Gjykatës, duke caktuar vazhdimin e seancës për nesër përmes deputetit më të vjetër që kryeson seancën solemne.

PDK e kundërshton fuqishëm këtë vendim, duke vlerësuar se ai përbën jo vetëm shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.

“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton fuqishëm këtë veprim, i cili nuk është vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë”.

Mes tjerash, PDK-ja, akuzon kryeministrin në detyrë Albin Kurti se ka vendosur “vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror”.

“Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror. Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese”.