Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Disa vatra ende aktive, mbi 200 forca në terren

Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Disa vatra ende aktive, mbi 200 forca në terren

Aktuale August 09, 2026 - 17:49

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

Sipas njoftimit të fundit, në terren janë angazhuar të paktën 227 forca operacionale dhe 16 mjete zjarrfikëse e mbështetëse. Ndërkohë, janë kryer edhe katër angazhime ajrore, me tre helikopterë dhe një avion.

Në qarkun e Tiranës, në zonën e Dajtit, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri. Strukturat në terren po vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin, ndërsa sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe vatra po shkon drejt shuarjes së plotë pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe mbështetjes nga ajri të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.Në qarkun e Fierit, në zonën Panahor-Ndrenie-Vlosht, në Mallakastër, zjarri është aktualisht nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Edhe vatra në zonën Koilac-Greshicë është nën kontroll dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk paraqet rrezik për banesat.

Në Abazë të Krujës, situata është stabilizuar dhe në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, kryesisht në zona me vështirësi për ndërhyrje.

Në operacion janë angazhuar strukturat e Emergjencave Civile, Bashkia Krujë, MZSH-ja, shërbimi pyjor dhe Prefektura e Qarkut Durrës. Edhe në këtë zonë, autoritetet deklarojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Një situatë më problematike është raportuar në Vilëz të Kurbinit, ku zjarri u riaktivizua në një sipërfaqe pyjore.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe erës, flakët rrezikonin kishën, varrezat dhe disa banesa në zonë. Për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 50 forca nga MZSH-ja, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarët.Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka arritur të ndalojë avancimin e zjarrit dhe të shmangë prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.

Megjithatë, vatrat vijojnë të jenë aktive dhe ekipet në terren po punojnë për mbajtjen e situatës nën kontroll.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile po vijojnë pa ndërprerje operacionet në terren dhe nga ajri për izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të të gjitha vatrave aktive./TCh