Gjuajtja me vezë në Kuvend bën xhiron e botës
Foto: Laura Hasani

Gjuajtja me vezë në Kuvend bën xhiron e botës

Aktuale August 09, 2026 - 20:21

Ngërçi politik risolli në Kuvend skena të gjuajtjes me vezë ndaj pushtetarëve.

Veprimi i deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti zuri vend edhe në mediet më të mëdha botërore.

Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press publikoi pamjet e momentit të hedhjes së vezëve, ndërsa mediumi tjetër ndërkombëtar, Reuters e trajtoi ngjarjen si pjesë të ngërçit politik që e ka përfshirë vendin.

Edhe gazeta prestigjioze britanike, “The Guardian” solli momentin me videon e publikuar, duke raportuar se Kadrijaj i nxori vezët nga çanta dhe i hodhi në drejtim të Kurtit, pasi ky i fundit kërkoi më shumë kohë për të zhvilluar bisedime me partitë tjera para se të propozonte një kandidat për kryetar të parlamentit.

E për transmetuesin publik gjerman, “Deutsche Welle” incidenti është një tjetër shfaqje e krizës politike në Kosovë, ku Kuvendi ende nuk ka arritur të zhbllokojë procesin institucional.

Ngjarja mori vëmendje edhe nga rrjeti ndërkombëtar i lajmeve “Al Jazeera” dhe media të tjera botërore, të cilat veç momentit të përplasjes, u ndalën edhe te situata politike që e parapriu atë.

Përtej pamjeve që u bënë virale gjithandej, mediat ndërkombëtare e lidhën incidentin me ngërçin institucional në Kosovë./klankosova