Lushtaku paralajmëron protestë: Nuk ka më rrugë vetëm institucionale
Deputeti i zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka kritikuar vonesat për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se shkelja e Kushtetutës është bërë normalitet nga pushteti aktual.
Lushtaku ka thënë se në Grupin Parlamentar të PDK-së është diskutuar vazhdimisht për faktin se nuk është dërguar ftesa brenda 48 orëve për vazhdimin e seancës.
“Fatkeqësisht, edhe ne me shumë pa durim dhe e kemi shumë në diskutim edhe në grupin parlamentar, në komunikimet tona, pse nuk ka ardhur ftesa brenda 48 orëve që të ftohet dhe të diskutohet për konstituimin e Kuvendit. Me të vërtetë është për keqardhje kjo arrogancë e pushtetit apo e mazhorancës dhe sigurisht që nuk është mirë çfarë ka ndodhur. U bë normë, u bë normalitet shkelja e Kushtetutës”, tha ai.
Ai ka theksuar se Kushtetuta është akti më i lartë juridik i shtetit dhe se qytetarët presin konstituimin e Kuvendit dhe vazhdimin e funksionimit institucional.
“Ndërsa për Kushtetutën e Kosovës, për vetë shtetin e Kosovës, sepse Kushtetuta është akti më i lartë vetëqeverisës i shtetit të Kosovës, kanë dhanë shumë mund, sakrificë, djersë, gjak që të arrijmë këtë pavarësi, këtë demokraci, këtë shtet që e kemi. Dhe nuk është mirë të neglizhohet, nuk është mirë të bëhet normalitet. Dhe kur bëhet normalitet, atëherë ai e ka këtë rrugë, nuk ka zgjedhur rrugë tjetër”, tha ai.
Lushtaku tha se është për keqardhje që nuk po arrihet kompromisi politik për konstituimin e Kuvendit.
“Dhe kjo është për keqardhje sepse në fund të ditës çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike, e dëshiron që të ketë konstituim Kuvendi dhe të ecim tutje. Por për shkak të një arrogance ku kompromisi shtetëror që e parashohin edhe në Kushtetutat evropiane shihet si pazar, ndërsa kur ata bëjnë pazare, ata i mbyllin sytë edhe i mbyllin edhe veshët, edhe i mbrojnë fatkeqësisht edhe shumë të akuzuar edhe për kur kurrgjë, siç është edhe rasti i Martin Berishajt. Prandaj është për keqardhje në çfarë gjendjeje jemi, po më duket se e ka bërë Kosovën, udhëheqja e tij si ‘banana republikë’”, tha ai.
Deputeti i PDK-së ka kundërshtuar mundësinë që çështja të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si absurditet.
“Është absurditet na me çu edhe një herë në Gjykatë Kushtetuese kur më 100 herë është dëshmuar se çdo herë ku kemi çu në Gjykatë Kushtetuese, ata kanë dalë të lagur apo të abuzuar me Kushtetutën. Dhe e dimë se mbi 20 raste, rreth 20 raste më mirë të themi, janë që kanë shkelur dhe është vërtetuar që e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës. A nuk është mjaft kjo? Besoj që është mjaft dhe besoj që më nuk ka rrugë vetëm institucionale, e vetmja rrugë do të jetë edhe rruga”, tha ai. /EO