Zemaj: LVV-ja po e keqpërdor statusin e moshës së Deharit, asnjëri nga ne s’duhet ta lejojë anarkinë dhe kapjen e shtetit
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar mënyrën e drejtimit të seancës konstituive nga Avni Dehari, duke thënë se statusi i tij si deputeti më i vjetër nuk i jep “autorizim të pafund ligjor e kushtetues” për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
Zemaj ka thënë se thirrja dhe zhvillimi i seancës është obligim kushtetues për përmbushjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes zgjedhjeve dhe jo çështje e vullnetit politik të një deputeti.
“Seanca duhet të thirret, Kuvendi duhet të konstituohet dhe duhet t’i jepet mundësia formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar Zemaj.
Sipas tij, mosrespektimi i rregullave demokratike vetëm për shkak se ato nuk parashohin sanksion konkret është i rrezikshëm dhe nuk duhet të shndërrohet në normë.
Ai ka paralajmëruar se normalizimi i një veprimi të tillë do të nënkuptonte “rrëshqitje në anarki dhe kapje të shtetit”.