PDK-ja kërkon vazhdimin e seancës konstituive sot, do të shkojë në Kuvend në 11:00
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që sot, më 12 gusht, të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.
Në kërkesën zyrtare drejtuar Deharit, PDK-ja ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese.
Megjithatë, sipas PDK-së, tejkalimi i këtij afati nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.
“Prandaj, PDK-ja ka kërkuar që pa asnjë vonesë të mëtejshme të thirret vazhdimi i seancës konstituive dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit për të cilin kanë marrë besimin e qytetarëve”, thuhet në kërkesën e partisë.
PDK-ja ka paralajmëruar se, pavarësisht nëse kryesuesi Dehari e përmbush apo jo këtë obligim, deputetët e saj do të jenë sot, në orën 11:00, në sallën e Kuvendit.
Sipas PDK-së, në këtë kohë përmbushet edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Partia u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve të zgjedhur që të jenë të pranishëm në sallë, me qëllim që, siç thuhet, të dëshmojnë gatishmërinë politike dhe vullnetin për përmbushjen e mandatit të marrë nga qytetarët.
Seanca konstituive ishte vazhduar të shtunën, por më pas u shty me kërkesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti. Vendimi erdhi pas tensionimit të situatës në sallë, kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit.