Dehari: Thirrja e seancës bëhet pas marrëveshjes politike
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ka folur lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, duke rikujtuar afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe duke argumentuar se një marrëveshje politike mes partive parlamentare është e nevojshme për formimin e institucioneve.
Dehari ka thënë se më 26 qershor 2025 Gjykata Kushtetuese kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda një afati 30-ditor, i cili, sipas tij, niste nga dita e shpalljes së aktgjykimit KO124/25.
Sipas Deharit, kjo nënkuptonte se Kuvendi duhej të konstituohej më së largu deri më 26 korrik 2025.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se konstituimi i Kuvendit nuk kishte ndodhur as pas afatit të ri 30-ditor të vendosur nga GJK, pra deri më datën 26 korrik 2025”, shkroi ai.
Ai ka kritikuar qëndrimin e atëhershëm të deputetëve opozitarë, të cilët, sipas tij, kur u kërkohej të votonin për konstituimin e Kuvendit, arsyetonin se “nevojitet marrëveshje politike”.
Dehari ka theksuar se, në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar nga palët që të vazhdonin përpjekjet për konstituimin e Kuvendit, pavarësisht tejkalimit të afatit, pasi nevoja për konstituimin e Kuvendit, sipas tij, i mbivendosej afatit.
Ai ka rikujtuar gjithashtu se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, partitë opozitare kishin insistuar që një marrëveshje politike të arrihej para formimit të institucioneve, përndryshe vendi do të shkonte në zgjedhje.
“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”, deklaroi Dehari.
Në fund, ai ka thënë se në momentin kur të ketë sinjale për një marrëveshje politike që do të mundësonte formimin e të gjitha institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve, vazhdimi i seancës konstituive do të ishte vetëm një formalitet.
“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka përfunduar ai. /Zëri