Tahiri: Meqë nuk duan partneritet të sinqertë, LDK-ja nuk ju bëhet dekor
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Meqë nuk duan partneritet të sinqertë, LDK-ja nuk ju bëhet dekor

Aktuale August 13, 2026 - 19:15

Kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka bërë të ditur se LDK-ja është e gatshme të heqë dorë nga çdo kërkesë për pozita qeveritare, me synimin për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Tahiri ka theksuar se LDK-ja nuk pranon të jetë pjesë e një bashkëqeverisjeje vetëm si dekor, duke kërkuar partneritet të sinqertë dhe hapësirë për të kontribuar me njerëzit dhe programin e saj.

“Meqë nuk duan partneritet të sinqertë, LDK-ja nuk ju bëhet dekor. Nuk hyjmë në bashkëqeverisje nëse nuk jemi partner të sinqertë, që kontribuon me njerëzit më të mirë dhe me programin më të mirë!”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se, për ta shmangur çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje në interes të shtetit, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri.

“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri, le t’i mbajë të gjitha VV-ja”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në shmangien e krizës aktuale edhe pa përfitim politik, duke e vendosur interesin shtetëror mbi kërkesat për poste qeveritare.