Subvencionimi i teksteve shkollore, deri tani 500 refuzime – MASHTI tregon kur ekzekutohen mjetet
Nesër është dita e fundit kur prindërit mund të aplikojnë për të përfituar mjete për blerjen e teksteve shkollore. Verifikimi ka tre ditë që ka nisur, e deri tani 500 aplikime janë refuzuar.
Platforma qëndron ende e hapur.
E e tillë do të jetë vetëm edhe për një ditë.
Afati për të aplikuar për pajisje me tekste shkollore mbyllet të premten e 14 gushtit.
Deri tani, kërkesë për mjete nga Ministria e Arsimit, kanë bërë afër 180 mijë prindër e kujdestarë ligjor.
Ndërsa verifikimi i aplikimeve, sipas Ministrisë, ka tre ditë që ka filluar.
“Çdo shkollë i ka nga dy koordinatorë, një koordinator për nivelin 1-5, dhe një koordinator për nivelin 6-9, gjithsej 1 mijë e 442 koordinatorë janë duke bërë verifikimin e të gjitha aplikimeve. Verifikimi i aplikimeve është në ditën e tretë, deri më tani janë trajtuar 79 mijë aplikime, ndërsa 78 mijë aplikime janë pranuar, kurse kemi mbi 500 aplikime që janë refuzuar nga verifikimi i koordinatorëve”, thotë Anita Kadriu, drejtoreshë e Departamentit për Arsim parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Arsyet e refuzimit, sipas drejtoreshës së departamentit për arsim parauniversitar, Anita Kadriu kanë të bëjnë kryesisht me nxënës të cilët nuk gjenden të regjistruar në shkolla përkatëse.
Një ndër shkollat në kryeqytet që veçse ka përfunduar aplikimin për subvencionim është “Emin Duraku”.
“Tani është procesi i verifikimit, në bazë të informatave mundet me pas tentime për më apliku qoftë gabim gjatë aplikimit të linkut apo qoftë qëllimisht, por koordinatori në bazë të listës së nxënësve e bën verifikimin dhe ata që tentojnë kuptohet që refuzohen dhe nuk mundet me përfitu”, tregon drejtori i shkollës, Visar Osmani.
Por me këtë formë të subvencionimit të teksteve shkollore, vazhdojnë të jenë të pakënaqur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
“Kemi qenë kundër kësaj mënyre të shpërndarjes së teksteve, ne kemi insistuar dhe kërkuar publikisht që të vazhdohet me atë mënyrën e përparme, kur tekstet shkonin në shkollë dhe prindërit ishin të liruar të vrapojnë nga libraria në librari. E mira e kësaj sivjet është që MASHT ka mësuar dhe këtë vit është bërë hapja e aplikimit më herët”, thotë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Por kur pritet që prindërit të marrin mjetet për blerjen e teksteve shkollore?
“…në momentin që përfundon procesi i verifikimit nga ana e koordinatorëve, MASHT do të fillojë me transferimin e mjeteve në xhirollogarinë e prindërve. Ne kemi vendosur që javën e ardhshme të përfundojë procesi i verifikimit të aplikimeve, mendojmë që nga fillimi i javës së ardhshme, verifikimi do të përfundojë”, bën të ditur Kadriu.
Për subvencionimin e teksteve shkollore, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 14 milionë euro. /tëvë1