Kurti: S’është pak që Abdixhiku të jetë zëvendësi im, LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje
Foto: Laura Hasani

Kurti: S’është pak që Abdixhiku të jetë zëvendësi im, LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje

Aktuale August 14, 2026 - 11:57

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të dëshironte që LDK-ja të ishte pjesë e bashkëqeverisjes, duke përmendur edhe mundësinë që kreu i saj, Lumir Abdixhiku, të jetë zëvendëskryeministër.

“Nuk është pak që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të jetë zëvendës i imi”, ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve, është e gatshme për një marrëveshje politike me LDK-në.

“Unë besoj që LDK është dashur të vijë në bashkëqeverisje. Ta kemi një marrëveshje politike”, u shpreh Kurti.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, Kurti tha se qëndrimi i LVV-së është që presidenti të jetë një figurë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe te qytetarët.

“Qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual, pra gjithëpërfshirës me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull, të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare, qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri”, deklaroi ai.

Kurti tha se diskutimet për emrin e presidentit mund të zhvillohen me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.

“Përveç kësaj, këtë dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja. Jemi të hapur për të bërë diskutime shteruese që të vijmë deri te emrat”, tha Kurti.