Koci: Shteti të mbrojë më shumë të arrestuarit në Serbi
Avokati Arianit Koci ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të angazhohen më seriozisht në mbrojtjen e shtetasve kosovarë të arrestuar në Serbi.
Koci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe shpesh ndodhin në periudha kur në Kosovë dalin në pah prova të reja për krimet e kryera gjatë luftës.
“Sa herë në Kosovë zbulohet një varrezë masive apo dalin prova të reja për krimet e forcave serbe, Serbia reagon edhe me arrestime të shtetasve tanë”, ka shkruar Koci.
Sipas tij, përmes këtyre rasteve synohet krijimi i një narrative se krimet gjatë luftës janë kryer nga të dyja palët.
“Përmes këtyre rasteve tentohet me u kriju narrativa se krime kanë kryer të dy palët”, ka deklaruar ai, duke kërkuar që shteti të rrisë angazhimin në mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës.
Koci ka bërë të ditur gjithashtu se, sipas tij, autoritetet serbe kanë nisur ta pengojnë në punën e tij. Ai ka thënë se është ndaluar tri herë gjatë udhëtimit me veturë diplomatike, në prani të shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd.
“Po iu pengon angazhimi im. Nuk frikësohem. Por në këto rrethana ky angazhim duhet me u koordinu me shtetin”, ka shkruar ai.
Avokati ka sqaruar se, ndonëse nuk mund të ushtrojë profesionin si avokat i Kosovës në Serbi, mund të kontribuojë në koordinimin e mbrojtjes, këshillimin e avokatëve atje dhe sigurimin e provave e argumenteve.
“Si avokat nga Kosova nuk mundem me ushtru profesionin në Serbi. Por mundem me e koordinu mbrojtjen, me i këshillu avokatët atje dhe me ndihmu me prova e argumente”, ka thënë Koci.
Ai ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për neglizhencë, duke thënë se u ka ofruar institucioneve shërbime falas dhe propozime konkrete për mbrojtjen juridike të të arrestuarve.
“Në vend të koordinimit, kam hasur në neglizhencë, mungesë interesimi dhe bartje të përgjegjësisë”, ka deklaruar ai.
Koci ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si trajtohen të arrestuarit nga autoritetet serbe, duke theksuar se në disa raste deklaratat publike bëhen para se të ketë një vendim gjyqësor.
Në fund, ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës ta koordinojnë më mirë mbrojtjen e shtetasve të saj që përballen me procedura penale në Serbi.