Bajrami: Po e shtyni vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve, çka po do Kurti?
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Po e shtyni vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve, çka po do Kurti?

Aktuale August 19, 2026 - 11:48

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar zhvillimet politike në vend, duke thënë se Kosova po përballet me një krizë të vazhdueshme institucionale dhe se vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje.

Bajrami ka thënë se, përkundër mbajtjes së tri palë zgjedhjeve, situata po përsëritet dhe vendi po shkon drejt një tjetër procesi zgjedhor.

“Qe tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ajo ka kritikuar arsyetimet për moskonstituimin e Kuvendit, duke përmendur deklaratat se pa një marrëveshje politike nuk mund të konstituohet Kuvendi, pasi një dështim i tillë do ta çonte vendin në zgjedhje.

“Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje. Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?”, ka pyetur deputetja e LDK-së.

Sipas saj, zvarritja e krizës politike ka ndikuar në pothuajse të gjitha sferat e jetës në Kosovë.

“E derisa kjo sagë vazhdon dhe tolerohet, nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar, asnjë të vetme”, ka deklaruar Bajrami.

Në fund, ajo ka ngritur një sërë pyetjesh ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar të dijë arsyen e insistimit për një situatë që, sipas saj, po e çon vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve.

“Çka po don Albin Kurti? Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve? Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?”, shkroi Bajrami.

Ajo e ka përmbyllur reagimin e saj duke përsëritur pyetjen se pse Kosova, pas tri palë zgjedhjeve, po rrezikon të përfundojë sërish në zgjedhje.