Ramadani: Thirrja e SHBA-së dhe BE-së duhet të jetë vetëdijesuese për partinë që bllokoi Kuvendin
Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar bllokimin e punës së Kuvendit, duke thënë se deputetët e LVV-së kanë dështuar të përmbushin detyrën për të cilën janë betuar.
“Do të vazhdojmë t’i ekspozojmë shkeljet zinxhirore që po ndodhin në Kosovë. Sot bëhen dy javë, më 6 gusht, që ne si deputetë kemi dhënë një betim”, tha Ramadani.
Ai kritikoi deputetët që, sipas tij, po largohen nga salla e Kuvendit dhe po e pamundësojnë konstituimin e tij.
“Bllokimi i Kuvendit dhe ikja nga salla e Kuvendit nuk ka as nder, as përkushtim. Nuk po e kryejnë detyrën për të cilën janë betuar si deputetë. Këta nuk po e përfaqësojnë popullin duke ikur nga salla e Kuvendit, e hiç më hiç nuk po e përfaqësojnë me dinjitet”, u shpreh ai.
Ramadani tha se, sipas tij, ka angazhim për shkelje të kushtetutshmërisë dhe kërkoi që thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian të shërbejnë si vetëdijesim për partisë së Lëvizjes Vetëvendosje që po e bllokon Kuvendin e Kosovës.
“Thirrja e SHBA-së dhe BE-së nuk është shqetësuese. Ajo duhet të jetë vetëdijesuese për partinë që e ka bllokuar Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Ramadani.
