Tekstet shkollore ende pa çmime përfundimtare, Ministria u bën thirrje prindërve të presin
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton prindërit dhe kujdestarët ligjorë se procesi i negocimit të çmimeve për tekstet mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.
“Për këtë arsye, katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë”, thuhet në njoftim.
“Pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë katalogun përfundimtar me çmimet e teksteve mësimore dhe do të përcaktojë shumën përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës. Andaj u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore. Njëkohësisht, Ministria u bën thirrje librarive dhe shitësve të teksteve mësimore që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga Ministria”, thuhet në njoftim.
Ministria e Arsimit thekson se për çdo informacion të mëtejshëm, prindërit, kujdestarët ligjorë dhe të gjithë të interesuarit duhet t’i referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.