Ndërpritet uji për katër orë në Osek Hilë dhe Skivjan të Gjakovës
KRU “Gjakova” ka njoftuar se banorët e fshatrave Osek Hilë dhe Skivjan do të mbesin pa furnizim me ujë të premten nga ora 12:00 deri në 16:00, për shkak të punimeve në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit, ndërprerja e përkohshme e furnizimit me ujë lidhet me punimet që po zhvillohen në kuadër të projektit “Instalimi i ujësjellësit Gjakova III për fshatrat Lugbunar, Osek Hilë dhe Skivjan të Komunës së Gjakovës”.
Gjatë ditës së sotme, ekipet do të vazhdojnë punimet në kyçjet sekondare, përkatësisht zhvendosjen e tyre nga gypi ekzistues i azbestit në rrjetin e ri me gypa OD315 dhe OD63 milimetra.
KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se ndërprerja do të zgjasë katër orë dhe është e nevojshme për realizimin e punimeve në rrjet.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kohës së ndërprerjes.