PDK-ja akuzon Qeverinë për neglizhencë pas vdekjeve të punëtorëve të KEK-ut
Foto: Laura Hasani

PDK-ja akuzon Qeverinë për neglizhencë pas vdekjeve të punëtorëve të KEK-ut

Aktuale August 21, 2026 - 14:15

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mungesë reagimi dhe mbikëqyrjeje ndaj kushteve të punës në institucionet dhe ndërmarrjet publike, pas vdekjes së dy punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) brenda tri ditësh.

Në një konferencë për media, Tahiri kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin menjëherë masa konkrete për rritjen e sigurisë në vendin e punës.

“Më 20 gusht, Arbenit Ahmeti humbi jetën duke transportuar kabllot 6 kV. Më 16 gusht, vetëm katër ditë më herët, Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë, mbeti i vdekur pranë ekskavatorit”, tha Tahiri.

Ai përmendi edhe raste të tjera të vdekjeve të punëtorëve të KEK-ut gjatë këtij viti.

“Më 15 korrik, Milazim Binaku ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 27 shkurt, Migjen Sadiku ndërroi jetë në hapësirat e Termocentralit ‘Kosova B’”, deklaroi deputeti i PDK-së.

Tahiri tha se pas secilit prej këtyre rasteve qëndrojnë familje që kanë humbur të afërmit e tyre.

“Janë punëtorë që shkuan në punë për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre dhe humbën jetën duke bërë punën e tyre”, u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së kritikoi edhe mënyrën e organizimit të sistemit të inspektimeve, duke thënë se Qeveria ka centralizuar këtë sistem përmes Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm brenda Zyrës së Kryeministrit.

“Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht menaxhuese dhe mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike dhe, në fund, të sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi”, tha Tahiri.

Ai kërkoi që siguria e punëtorëve të mos mbetet vetëm në deklarata pas rasteve tragjike, por të garantohet përmes inspektimeve dhe masave konkrete parandaluese.

“Siguria e punëtorëve nuk garantohet me deklarata ngushëllimi, por duhet të garantohet me standarde të qarta, me inspektime të rregullta dhe të pavarura, me parandalim, me zbatim të ligjit dhe me llogaridhënie, para se dikush tjetër ta humb jetën”, deklaroi ai.

Në fund, Tahiri i bëri thirrje Qeverisë, ministrisë përkatëse, Inspektoratit të Punës dhe KEK-ut që të mbështesin financiarisht familjet e viktimave dhe të zhvillojnë inspektime të plota e të pavarura.

Ai kërkoi gjithashtu identifikimin dhe eliminimin e rreziqeve në vendet e punës, rritjen e masave të sigurisë dhe mbrojtjes për punëtorët, si dhe garantimin që raste të tilla të mos përsëriten.

Image