Çfarë ndodh me mbetjet mortore që u gjetën në veri? Flasin nga komisioni që do të ndihmojë në identifikimin e tyre
Foto: Laura Hasani

Çfarë ndodh me mbetjet mortore që u gjetën në veri? Flasin nga komisioni që do të ndihmojë në identifikimin e tyre

Aktuale August 22, 2026 - 09:34

Gjetja e mbetjeve mortore është vetëm fillimi i një procesi kompleks identifikimi, thotë Samira Krehiq, udhëheqëse e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krehiq flet për rolin që do të ketë ICMP-ja pas zbulimit të mbetjeve mortore të së paku 23 personave në Zubin Potok të Kosovës, zhvarrimi i të cilëve përfundoi më 21 gusht.

Ky institucion pritet të kryejë analizat e ADN-së dhe krahasimin e mostrave biologjike për të arritur identifikimin e mbetjeve mortore.

Krehic thotë se gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas saj, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.

Ajo thotë se identiteti i viktimave dhe ngjarja nuk duhet të paragjykohen para përfundimit të analizave të ADN-së.

“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave që janë gjetur, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, thotë Krehiq.

ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999. Sipas një raporti të institucionit të vitit 2017, mbi 2.500 nga rreth 4.500 personat e zhdukur nga lufta dhe pasojave të saj ishin identifikuar me ndihmën e teknologjisë së ADN-së.

Rreth 2.000 raste të tjera ishin identifikuar përmes metodave tradicionale, kryesisht para vitit 2002.

Në intervistë Krehic shpjegon si mund të trajtohen identifikimet e gabuara në të kaluarën dhe çfarë duhet të bëjë Kosova për ta zvogëluar varësinë nga ndihma ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Mbetjet mortore të së paku 23 personave u zbuluan së fundi në varreza masive në Zubin Potok, në Kosovë. A mund të na tregoni çfarë nënkupton kjo dhe çfarë ndodh nga momenti kur gjenden mbetjet mortore deri në konfirmimin e identitetit?

Samira Krehiq: Ky ishte një lajm i mirë jo vetëm për familjet e personave të zhdukur, por për të gjithë ne që jemi të përfshirë në këtë proces. Pas një kohe shumë të gjatë, institucionet e Kosovës arritën të lokalizojnë dhe të fillojnë nxjerrjen e mbetjeve mortore të viktimave të konfliktit në Kosovë. Gërmimi i fundit, besoj, ishte në Rashkë, në Rudnicë, shumë kohë më parë. Prandaj, kjo paraqet përparim. Presim të marrim pjesë në procesin e identifikimit të të gjitha viktimave dhe, si gjithmonë, të punojmë me familjet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Procesi nga nxjerrja e mbetjeve njerëzore deri në identifikimin e tyre është shumë kompleks dhe multidisiplinar. Ai përfshin fusha të ndryshme ekspertize: arkeologjinë mjekoligjore, antropologjinë, patologjinë mjekoligjore në terren, analizën e ADN-së, menaxhimin e një sasie shumë të madhe informacioni dhe, në fund, konfirmimin zyrtar ligjor të identitetit.

I thjeshtuar, procesi mund të përshkruhet në disa faza. Fillimisht zbulohen mbetjet njerëzore, të cilat më pas nxirren me kujdes, dokumentohen dhe transferohen në një objekt mortor për ekzaminim. Atje, specialistët mjekoligjorë i ekzaminojnë mbetjet dhe dokumentojnë të gjitha të dhënat që mund të ndihmojnë në përcaktimin e identitetit të viktimave, përfshirë gjendjen e mbetjeve, profilin biologjik të viktimave dhe çdo provë tjetër relevante të gjetur në vendngjarje. Specialistët e mjekësisë ligjore marrin mostrat përkatëse post-mortem (pas vdekjes), për analizën e ADN-së.

Pasi në laboratorët e ICMP-së përcaktohet përputhja e ADN-së me profilet referuese të familjarëve, familjet njoftohen dhe ftohen për identifikimin zyrtar, i cili kryhet në përputhje me legjislacionin vendor të secilit shtet.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore dhe administrative, mbetjet mund t'i kthehen familjes.

Në raste më komplekse, për shembull kur mbetjet janë të pjesshme ose të fragmentuara, kur nuk ka mostra të mjaftueshme referuese nga familjarët ose kur ADN-ja është degraduar, procesi mund të bëhet shumë më sfidues dhe të marrë më shumë kohë. Në raste të tilla mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë për të arritur rezultatin e dëshiruar.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli do të ketë ICMP-ja në identifikimin e mbetjeve mortore të zbuluara në Zubin Potok?

Samira Krehiq: Si edhe më parë, jemi të gatshëm të ofrojmë çdo lloj ndihme profesionale, nga gërmimi dhe ekzaminimi i mbetjeve mortore dhe deri te analiza e mostrave biologjike që dalin nga ky gërmim. Do të përfshihemi definitivisht në atë fazë të procesit. Gjithashtu, vazhdimisht mbledhim mostra referuese nga familjarët e mbijetuar, në mënyrë që kolegët tanë në laboratorin e ADN-së në Hagë t'i krahasojnë profilet referuese me profilet post-mortem.

Ne u ofrojmë mbështetje të vazhdueshme edhe shoqatave të familjeve të personave të zhdukur, për t'i ndihmuar që të përfshihen aktivisht ose të mbeten të përfshira në këtë proces shumë të rëndësishëm. Bashkëpunojmë ngushtë me institucionet e Kosovës, njësoj si në çdo shtet tjetër.

Mbetemi në dispozicion për çdo lloj ndihme, veçanërisht për Komisionin Qeveritar të Kosovës, për ngritjen e kapaciteteve të tij dhe për ta ndihmuar në menaxhimin, konsolidimin dhe ruajtjen, në një program të krijuar posaçërisht që ia kemi dhuruar, të sasisë së madhe të të dhënave që krijohen gjatë procesit. Ka edhe fusha të tjera në të cilat ICMP-ja punon me institucionet e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Pse Kosova vazhdon të mbështetet në ICMP-në për identifikime? A i ka aktualisht kapacitetet për ta kryer këtë proces në mënyrë të pavarur dhe kur mund të ndodhë kjo?

Samira Krehiq: Siç thashë, identifikimet e udhëhequra nga ADN-ja, sidomos në territorin e ish-Jugosllavisë ku konflikti kishte karakter rajonal, duhet të shihen në këtë kontekst. Viktimat ose familjet e personave të zhdukur lëviznin nga një shtet në tjetrin. Edhe trupat e viktimave nganjëherë kalonin kufijtë pa qëllim, për shembull përmes lumenjve, ose zhvendoseshin qëllimisht. Në rastin e viktimave të Kosovës, ato u transportuan ilegalisht dhe fshehurazi përtej kufirit, në territorin e Serbisë, dhe u varrosën në varreza masive të fshehta. Karakteri i konfliktit përcaktoi edhe natyrën dhe strukturën e procesit të identifikimit të krijuar në fillim.

Përjashtimi i një shteti nga ky sistem dhe ngritja e një sistemi të pavarur nuk do të prodhonte rezultatet që kemi arritur deri tani dhe nuk do ta ndihmonte identifikimin e viktimave, nëse nuk planifikohet me kujdes dhe nuk dakordohet me autoritetet vendore, të gjitha palët e interesuara dhe shtetet fqinje, sidomos në rastet e bashkëpunimit ndërkufitar ose në rastet që u interesojnë disa shteteve. Procesi duhet të zhvillohet hap pas hapi, për të siguruar transparencën, rigorozitetin shkencor, zbatimin e standardeve më të larta mjekoligjore dhe shkëmbimin e informacionit.

Aktualisht po përqendrohemi në këtë çështje dhe kemi zhvilluar bashkëpunim shumë intensiv, para së gjithash me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, krahas Komisionit të Kosovës (për Persona të Zhdukur) dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Po diskutojmë se si të përparojmë në këtë fushë. Tashmë kemi ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishëm për kapacitetet teknike të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe trajnimin e shkencëtarëve të ADN-së. Por, kjo nuk duhet marrë lehtë. Procesi duhet të zhvillohet me shumë kujdes, për të siguruar vazhdimësinë, të njëjtën cilësi dhe qasjen e familjeve të personave të zhdukur në këtë shërbim.

Radio Evropa e Lirë: A lidhet kjo me faktin se mostrat e gjakut të mbledhura më herët ndodhen në Hagë?

Samira Krehiq: Jetojmë në një botë ku i gjithë informacioni shkëmbehet në mënyrë elektronike. Vendndodhja fizike e serverëve ose e vetë mostrave nuk ndikon në proces pasi ato përpunohen dhe shndërrohen në versione elektronike, në seri numerike. Vendndodhja nuk ndikon në suksesin e krahasimit të ADN-së apo në ndonjë pjesë tjetër të procesit. Njerëzit e përdorin internetin çdo ditë dhe i ruajnë të dhënat në cloud, pa pyetur se ku ndodhet fizikisht hapësira ku ruhen, sepse në këtë pikë kjo nuk ka rëndësi. Prandaj, kjo nuk është pengesë. Ekzistojnë konsiderata të tjera ligjore, etike dhe politike që duhet t'i marrim parasysh.

Radio Evropa e Lirë: Kur u publikua lajmi se në Zubin Potok mund të ishin gjetur mbetje njerëzore, autoritetet deklaruan se ato mund t'i përkisnin një grupi të caktuar nga Kosova, pjesëtarët e të cilit u zhdukën gjatë luftës. Çfarë mendoni për deklarata të tilla dhe çfarë provash nevojiten për ta konfirmuar këtë lidhje?

Samira Krehiq: Përgjegjësia për procesin dhe sidomos për hetimin u takon shtetit dhe organeve hetimore shtetërore. Nuk mund ta komentoj deklaratën, pavarësisht se kush e ka bërë. Por, nga pikëpamja shkencore dhe nga përvoja jonë e madhe në identifikimin e mijëra viktimave në mbarë botën, siguria ekziston vetëm pasi të lëshohet raporti i përputhjes së ADN-së. Niveli i sigurisë në përputhjen e mbetjeve të gjetura me mostrat referuese të familjeve është mbi 99.95 për qind.

Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave të gjetura, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas. Kjo është përvoja jonë. Procesi i identifikimit është çështje serioze. Përpjekjet e shtetit për t'i rindërtuar ngjarjet, për t'u dhënë përgjigje familjeve dhe për t'i përmbushur detyrimet ndaj tyre janë për t'u vlerësuar. Por përfundimet, rindërtimi i ngjarjeve dhe përcaktimi i fakteve duhet ta presin përfundimin e procesit të identifikimit.

Në shumë pjesë të botës kemi punuar në raste ku, bazuar në deklarata, ngjarje ose informacione të ndryshme, supozohej se një grup ose individ i caktuar ishte gjetur në një vend të caktuar, por kjo nuk doli domosdoshmërisht e vërtetë. Në fund, ADN-ja dhe e gjithë puna që e shoqëron procesin e identifikimit, përfshirë punën mjekoligjore në objektin mortor dhe në vendin e gërmimit, do ta tregojnë historinë e ngjarjeve që çuan në zbulimin e varrezës në Zubin Potok.

Radio Evropa e Lirë: Kanë kaluar gati tri dekada nga lufta dhe nga zhdukja e shumë prej personave që ende nuk janë gjetur. Si ndikon kalimi i kohës në gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve njerëzore?

Samira Krehiq: Është proces shkencor dhe kompleks, ndërsa koha është armik i procesit në të gjitha aspektet. Nga pikëpamja shkencore, përcaktimi i identitetit personal mund të jetë veçanërisht sfidues kur mbetjet janë të fragmentuara, të përziera ose të degraduara; kur identifikimet e mëparshme janë bërë pa analizë të ADN-së, kur ka pak të dhëna për personin ose personat e zhdukur ose kur nuk ka mostra të mjaftueshme referuese nga familja. Në raste të tilla, procesi mund të zgjasë dhe të jetë i ndërlikuar, por nuk është i pamundur. Mund të kërkojë kohë të konsiderueshme, ekspertizë shtesë dhe bashkimin e burimeve të ndryshme të provave.

Megjithatë, vetë kalimi i kohës nuk është armiku më i madh i identifikimit. Ne kemi një program në Vietnam për të ndihmuar në gjetjen dhe identifikimin e viktimave të Luftës së Vietnamit. Edhe pas gjithë atyre dekadave dhe në mjedise shumë të pafavorshme ku gjenden mbetjet, kemi arritur të identifikojmë persona duke përdorur madje mostra referuese nga nipërit dhe mbesat e tyre. Nga pikëpamja shkencore, përveç kohës, ka edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në proces. Çdo rast trajtohet veçmas, në varësi të mjedisit, gjendjes së mbetjeve dhe faktit nëse varreza është parësore apo dytësore. Nuk ka një recetë universale, qasja është gjithmonë individuale.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët varrezat parësore dhe dytësore. Kur mbetjet gjenden në disa lokacione të afërta, çfarë mund t'i tregojë kjo analizës mjekoligjore për mënyrën se si kanë vdekur viktimat ose nëse trupat e tyre janë zhvendosur më vonë? A është kjo pjesë e rëndësishme e identifikimit të viktimave dhe e përcaktimit të asaj që u ka ndodhur?

Samira Krehiq: Po hyjmë në aspektin mjekoligjor të punës së antropologëve mjekoligjorë dhe specialistëve të tjerë. Duke u mbështetur në përvojën tonë të gjerë dhe në numrin e madh të operacioneve të gjetjes së mbetjeve ku ka ndihmuar ICMP-ja, procesi i identifikimit dhe sidomos ADN-ja mund të ndihmojnë në rindërtimin e ngjarjeve dhe në të kuptuarit e asaj që ka ndodhur.

Shembulli i Srebrenicës është një enigmë e njohur mjekoligjore në mbarë botën, sepse mbetjet zakonisht zhvendoseshin nga vendi fillestar në një vend tjetër, ndonjëherë edhe në një të tretë. Falë ADN-së, arritëm t'i ribashkojmë pjesët e individëve, që u gjetën në varreza të ndryshme, në një person dhe një identitet. Por jo vetëm kaq: arritëm t'i ndihmonim autoritetet ta rindërtonin ngjarjen dhe ta kuptonin se si ishte krijuar varreza, si ishte zhvendosur nga një lokacion në tjetrin dhe më pas në një të tretë, si dhe çfarë kishte ndodhur, duke rindërtuar tërë rrjedhën e ngjarjeve.

Ky veprim nuk u ndërmor vetëm nga ICMP-ja. Ne punuam me Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës për të miratuar një strategji të plotë, të koordinuar edhe me Institutin për Personat e Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës. Strategjia jepte udhëzime se cilët hapa duhej të ndërmerreshin në secilin skenar. Qasja duhet të jetë shumë e kujdesshme, individuale dhe e paraprirë nga analiza të shumta para kontaktimit të familjeve.

Familjet duhet të informohen për këtë përpjekje dhe ta kuptojnë arsyen pse bëhet, sepse një shtet mund ta trajtojë çështjen e identifikimeve të gabuara vetëm me pjesëmarrjen vullnetare të familjeve që më parë i kanë identifikuar të afërmit e tyre. Nëse ato nuk duan të marrin pjesë dhe t'i ndihmojnë fqinjët, të afërmit ose bashkëqytetarët që ta zgjidhin problemin e tyre, procesi nuk do të funksionojë. Prandaj, duhet të ketë një qasje të koordinuar dhe të harmonizuar, të dakorduar ose miratuar nga autoritetet shtetërore. Pastaj mund të ndihmojnë edhe të tjerët, përfshirë ICMP-në me përvojën e saj në këtë fushë. /REL

Intervistën e plotë mund ta lexoni KETU: