Situata e zjarreve në Shqipëri drejt përmirësimit
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka publikuar përditësimin zyrtar mbi situatën e zjarreve në territorin e vendit deri në orën 17:00 të ditës së sotme, duke konfirmuar një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së përgjithshme dhe izolimin e disa prej vatrave më kritike.
Përgjatë ditës janë raportuar gjithsej 10 vatra zjarri, nga të cilat 4 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 6 të tjera mbahen nën mbikëqyrje të rreptë. Në operacionet e stundit janë angazhuar mbi 480 forca operacionale, mes të cilëve 150 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe vullnetarë e punonjës të shërbimeve pyjore. Aksioni po mbështetet nga ajri me 3 helikopterë dhe 2 avionë specialë “Air Tractor”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) nënvizoi se fokusi kryesor mbetet mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesat dhe pasuritë e qytetarëve.”, theksohet në njoftimin për shtyp.
Në zonën e Gojan–Gjegjanit në Pukë, situata ka pësuar përmirësim të dukshëm ku vatrat kryesore janë izoluar. Ndërkohë, në Prozhem të Pukës, Shtanë–Tenë të Mirditës dhe në Malin e Dajtit, ndërhyrja po vijon pa ndërprerje. Autoritetet konfirmojnë se pavarësisht intensitetit të erës në disa zona, për momentin nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara, ndërsa zjarri në Dukat është shuar plotësisht.
Harta e vatrave aktive dhe burimet e angazhuara
Gojan–Gjegjan (Pukë): Situatë e izoluar. Po kontrollohet vija e zjarrit me 40 efektivë FA, mjete zjarrfikëse, ekskavator dhe 2 helikopterë.
Prozhem (Pukë): Vatra aktive në sipërfaqe pyjore. Era vështirëson punën, por nuk ka rrezik për banesat.
Mali i Dajtit: Ndërhyrje aktive nga ajri dhe toka me 25 efektivë MZSH, 30 efektivë FA, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Shtanë–Tenë (Mirditë): Operacion aktiv me forca vendore dhe ushtarake; banesat janë jashtë rrezikut.
Dukat (Vlorë): Vatra është shuar plotësisht.
Resurset totale: 332 forca civile, 150 efektivë ushtarakë, 18 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”./rtsh