Gecaj: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cenueshme, Serbia mund të shfrytëzojë situatën
Ngërçi politik në Kosovë po ndikon edhe në fushën e sigurisë, duke i bërë institucionet më pak efikase në reagimin ndaj rreziqeve, vlerëson eksperti i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gecaj tha se siguria është më e brishtë në një situatë kur institucionet kanë kompetenca të kufizuara dhe problemet politike nuk marrin zgjidhje.
“Faktikisht, edhe pse nuk ka pasoja që mund të shihen direkt të ndikimit të këtij ngërçit politik në segmentin e sigurisë, ato faktikisht po ndodhin edhe sot. Janë duke ndodhur. Siguria gjithmonë është më e brishtë kur ka probleme politike, kur ato nuk gjejnë një zgjidhje, sidomos kur ato shihet që kanë problem serioz. Dhe tek ne po shihet që problemi është serioz, nuk është një problem i cili ka të bëjë me çështjet procedurale ose teknike, por ka të bëjë me këmbngulësin dhe kryeneçësinë e politikanëve pikërisht atyre që duhet t’i zgjidhin këto probleme”, tha ai.
Sipas Gecajt, një situatë e tillë cenon sigurinë e Kosovës, pavarësisht pranisë së NATO-s dhe KFOR-it.
“Dhe përderisa ka situata të tilla, siguria gjithmonë është e brishtë për shkak se autoritetet apo institucionet që duhet të kenë kompetenca për një situatë të caktuar, këto kompetenca i kanë të cunguara, nuk i kanë shumë efikase, nuk janë shumë praktike, nuk janë shumë të shpejta. Prandaj kjo cenon dhe rrezikon dukshëm sigurinë e Kosovës. Natyrisht, është NATO-ja këtu dhe është KFOR-i i cili përkujdeset edhe në këtë segment edhe në këtë drejtim, mirëpo ne si shtet duhet të mësohemi që të mos na ndodhin këto gjëra dhe nuk duhet të llogarisim gjithmonë që të tjerët do të kujdesen dhe përkujdesen për sigurinë tonë”, tha ai.
Gecaj vlerësoi se situata e brendshme politike mund t’i japë hapësirë Serbisë për të vepruar, duke përmendur edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me rrjedhën e ujit të lumit Ibër.
“Sjelljet e tilla të politikanëve tanë i japin hapësirë në këtë rast Serbisë, sepse problemin më të madh e kemi me Serbinë, i japin një mesazh që ajo mund të gjejë hapësirë në këto situata, në këto momente, për të ndërhyrë dhe në vazhdën e kësaj është edhe kjo deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së ujit. Por këtu pastaj mund të ketë edhe elemente të tjera të cilat po ashtu paraqesin rrezik dhe kërcënim siç është për shembull nxitja apo cytja e qytetarëve serbë për të bojkotuar institucionet e Kosovës, për të refuzuar ato çka janë arritur deri më sot, të kthehen në një pikë më mbrapa ku kanë qenë më herët”, tha ai për Ekonomia Online.
Ai përmendi edhe mundësinë e akteve të tjera që, sipas tij, mund të paraqesin rrezik në një situatë të tillë, duke ngritur dyshime edhe për ndikime të shërbimeve të huaja.
“Pastaj janë aktet diverzive, aktet terroriste dhe forma të tjera të cilat sot ndoshta edhe flitet shumë pak në Kosovë, për shkak se ne po e shohim që problemi politik brenda në Kosovë nuk është thjesht vetëm një problem politik i liderëve tanë, por unë mendoj që këtu ka edhe ndikime të shërbimeve të tjera, shërbimeve të huaja, domethënë kemi në dy segmente, në segmentin politik në njërën anë, por nuk përjashtohet edhe segmenti fetar, ku kohëve të fundit kemi një vlim të kundërthënieve në mes religjioneve të ndryshme, të cilat faktikisht nuk e kanë burimin nga akterët vendorë këtu, por e kanë burimin nga akterët ndërkombëtarë, në radhë të parë Rusi, Serbi dhe shtete të tjera që kanë interes për të parë Kosovën si një shtet jo stabil”, tha ai. /eo