Rama: Prishtina do të krijojë ndërmarrje të re publike të “Pastrimit”
Foto: Laura Hasani

Rama: Prishtina do të krijojë ndërmarrje të re publike të “Pastrimit”

Aktuale August 31, 2026 - 12:35

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryeqyteti do të krijojë një ndërmarrje të re publike komunale për pastrimin.

Rama tha se sistemi aktual i kompanisë rajonale “Pastrimi”, ku përfshihen edhe komunat e Obiliqit, Fushë-Kosovës, Lipjanit, Podujevës dhe Drenasit, nuk po u përgjigjet më nevojave të Prishtinës.

"Kryeqyteti i ka përmbushur obligimet e veta. Dokumentet janë tashmë publike. Procesi ka mbetur i bllokuar për një nënshkrim.

Image

Dhe çmimin e këtij bllokimi nuk e paguan ministri. E paguajnë qytetarët e Prishtinës.

Prandaj, këtë javë kemi mbajtur takim me kryetarët e komunave që janë pjesë e kompanisë rajonale 'Pastrimi', me menaxhmentin dhe punëtorët e kompanise dhe KEMI MARRË VENDIM", shkroi Rama në Facebook.

Rama ka deklaruar se punëtorët e “Pastrimit” nuk do të mbeten pa punë dhe se do të jenë pjesë e sistemit të ri.

Image

Ai ka theksuar se, falë Ligjit për Kryeqytetin, për krijimin e ndërmarrjes së re nuk nevojitet pëlqimi i Qeverisë.

"Falë Ligjit për Kryeqytetin, për krijimin e ndërmarrjes së re nuk na duhet pëlqimi i Qeverisë. Dhe kjo është pjesa më e rëndësishme. Sepse, po të varej edhe kjo nga një nënshkrim i Qeverisë, do të rrezikonim të kishim edhe një projekt tjetër të Prishtinës të bllokuar. Qytetarët nuk mund të presin dhe Prishtina nuk mund të mbahet peng. Kur një zgjidhje bllokohet, ne kemi përgjegjësi të krijojmë një tjetër.Prandaj po ecim përpara me krijimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me një qëllim shumë të qartë: t’i sigurojmë Kryeqytetit kapacitetet që i duhen dhe qytetarëve një Prishtinë të pastër', shkroi mes të tjerash Rama.

Image