KOMF me aksion simbolik në Prishtinë: Çfarë po mbaj në çantë, përveç librave?
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, me rastin e 1 Shtatorit, organizoi në sheshin e Prishtinës aktivitetin simbolik “Çfarë po mbaj në çantë, përveç librave?”, përmes të cilit synoi të tërheqë vëmendjen për sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe nxënësit në shkollat e Kosovës.
Në kuadër të aktivitetit janë vendosur 30 çanta, të cilat simbolizojnë sfidat e ndryshme që fëmijët mund të bartin me vete përveç librave.
Donjeta Kelmendi nga KOMF tha se aktiviteti është një mesazh për institucionet në nivelin komunal dhe qendror për të adresuar problemet me të cilat përballen fëmijët.
“Po, si Koalicion i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, me rastin e 1 Shtatorit, ditës së parë të fillimit të shkollës, të nxënësve, kemi dashur që të përcjellim mesazhin përmes një aktiviteti simbolik, përmes 30 çantave, për sfidat me të cilat përballen fëmijët, nxënësit në shkollat e Republikës së Kosovës. Sot është dita e parë e fillimit të vitit shkollor dhe ju urojmë, urime dhe suksese të gjithë nxënësve, por njëkohësisht ky aktivitet sot është edhe një thirrje për institucionet, qoftë në nivelin komunal – komunave, qoftë në nivelin qendror – Ministrinë e Arsimit dhe Qeverisë, për sfidat me të cilat përballen fëmijët, nxënësit në shkollat e Republikës së Kosovës. Duke përfshirë këtu dhunën në shkolla, mungesën e gjithëpërfshirjes për fëmijët me aftësi të kufizuara, dhunën online, pastaj abuzimin e fëmijëve, mungesën e mbështetjes të nxënësve, pra fëmijëve edhe nga vetë prindërit, presionin shpeshherë të madh i cili i shkaktohet fëmijëve, dhunën mes bashkëmoshatarëve, varfërinë e fëmijëve, punën e rëndë të fëmijëve e shumë sfida të tjera me të cilat përballen fëmijët apo nxënësit në shkollat e Kosovës“, theksoi ajo.
Sipas Kelmendit, institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm deri më tani për adresimin e këtyre sfidave.
“Konsiderojmë në bazë të hulumtimeve që bën Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, e këtu mund të përmend edhe Kartën e Vlerësimit, i cili është mjet monitorues që përdor Koalicioni për të parë se sa po bëhen veprime për mbrojtjen e fëmijëve, si koalicion konsiderojmë që nuk është bërë mjaftueshëm. As nga niveli komunal, pra nga komunat, por as nga niveli qendror, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Teknologjisë. Konsiderojmë që duhet të bëhen më shumë investime për të adresuar këto sfida të përditshme me të cilat përballen fëmijët në Kosovë, për shkak që krahas rëndësisë së madhe që ka edhe cilësia në sistemin arsimor, po ashtu është shumë e rëndësishme edhe mirëqenia dhe shëndeti i fëmijëve, që fëmijët të jenë të mbrojtur, që fëmijët të jenë në ambiente shkollore të cilat janë miqësore, të cilat janë të qasshme, në një ambient pra të sigurt dhe i cili është gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët“, tha ajo.

