Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë, Azemi: Do të vazhdojë deri në ekzekutimin e pagave
Foto: Laura Hasani

Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë, Azemi: Do të vazhdojë deri në ekzekutimin e pagave

Aktuale September 01, 2026 - 13:29

Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prishtinës kanë nisur grevën, duke kërkuar pagesën e pagave të mbetura dhe kompensimin e ditëve për të cilat pretendojnë se nuk janë paguar.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, për Ekonomia Online ka thënë se, greva është paralajmëruar më herët dhe se punëtorët kanë hyrë në grevë që nga orët e hershme të së martës.

Azemi ka treguar se për të njëjtën çështje ishte paralajmëruar një takim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës, por sipas tij, përfaqësuesit e sindikatës shkuan në takimin e caktuar, ndërsa drejtori nuk u paraqit.

“Punëtorët për paralajmërimet që janë dhënë më shpejt më herët, punëtorët e shkollave të mesme dhe shkollave fillore janë në grevë që nga dita e hershme e sodit. Për sot në orën 10:00, siç e patë edhe ju, kam thirrur kryesinë e punëtorëve të sektorit privat të këtyre shkollave me një paralajmërim se Komuna e Prishtinës, gjegjësisht drejtori i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës na ka thirr në takim, na ka ftuar që të shkojmë të bisedojmë për këto probleme. Ne ishim në kohën dhe në momentin e caktuar, dhe ai nuk doli të bisedojë me neve. Ne në orën 10:00 e thirrëm takimin sepse kemi menduar që ndoshta do të gjejmë një zgjidhje duke besuar se do të kemi takim me të. Thashë, ai i takimit iku dhe në orën 10:00 vetëm sa u rikonfirmua se greva do të vazhdojë”, ka deklaruar Azemi.

Sipas tij, janë dy arsye kryesore për hyrjen në grevë. Ai ka thënë se punëtorët nuk janë paguar për muajin korrik në përputhje me atë që e cilësoi si obligim ligjor, ndërsa pagat e muajve korrik dhe gusht, sipas tij, ende nuk janë ekzekutuar.

“Janë dy arsye për të cilat kemi hyrë në grevë: Arsyeja se punëtorët për të cilët po flasim, për muajin korrik nuk u është bërë pagesa sipas, po themi kështu, ligjit të punës; dhe e dyta është ne tani kemi hyrë në muajin e dytë, më shumë se dy javë ditë, dhe nuk kemi marrë rrogat po mendoj përtej afatit, sepse punëtorët e shkollave të mesme që nga 1 korriku thuajse kanë marrë vetëm 100 euro. Do të thotë korriku dhe gushti komplet janë pa paguar dhe normal që tash kemi hyrë në shtator. Pagesat për muajt, po themi, u desh që t’i marrin më 23 gusht, dhe ato janë vonesë për shkak të neglizhencës të zyrtarëve të Komunës së Prishtinës”, ka thënë ai.

Azemi ka bërë të ditur se kërkesat e grevistëve lidhen drejtpërdrejt me pagesat e vonuara dhe kompensimin për ditët e papaguara.

“Janë këto dy kërkesa: kompensimi i ditëve që nuk na është paguar dhe pse është vonuar paga më shumë se dy javë ditë. Këto janë dy kërkesat”, është shprehur Azemi.

Ai ka theksuar se greva nuk ka një afat të caktuar për përfundim dhe se punëtorët do të qëndrojnë në grevë deri në momentin kur të ekzekutohen pagat.

“Absolutisht, definitivisht po thashë që greva do të vazhdojë deri në momentin që t’u qiten pagat për këta punëtorë”, ka deklaruar Azemi.

Kryetari i SPSPK-së ka thënë se vendimi për përfundimin e grevës do të varet nga momenti kur Komuna e Prishtinës t’i kryejë obligimet financiare ndaj kompanive, ndërsa më pas sindikata do t’i njoftojë punëtorët që të rikthehen në vendet e tyre të punës.

“Realisht, nëse atyre ju konvenon edhe ne po na konvenon, domethënë na vjen keq që nëpër shkolla do të jetë një gjendje jo e mirë, po përndryshe ata janë të cilët përcaktojnë se në cilën ditë do të dalin punëtorët prej grevës. Në qoftë se kryetari i komunës qit pagat e kompanive, dhe në momentin kur dalin paratë te kompanitë, ne normal do t’ju japim sinjal punëtorëve që të jenë në punë. Derisa mos ta bëjnë këtë, normal që ne do të rrimë komplet në grevë”, ka thënë Azemi.

Ai ka bërë të ditur se sindikata do të insistojë për takime me institucionet, ndonëse sipas tij, deri më tani bisedimet nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

“Absolutisht, absolutisht! Domethënë ne kemi insistuar disa herë që të bisedojmë, jemi biseduar, jemi parë, por s’ka arritur rezultate. Edhe tani më e vetmja opsion është greva që ata mundet me i vetëdijesuar. Përndryshe s’kemi çfarë bisedojmë më me ta, sepse kanë qenë të papërgjegjshëm”, ka deklaruar Azemi.