Behrami: Ndërtesa e Qeverisë është okupuar nga një deputet, Kosova në kolaps total
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër situatën politike dhe institucionale në vend, duke e cilësuar atë si kolaps total.
Këto komente Behrami i ka bërë paraditen e sotme, ku bashkë me deputetë të tjerë të PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Në një prononcim për media, Behrami ka thënë se Kosova që nga viti 2025 po përballet me kriza të vazhdueshme, duke theksuar se vendi ndodhet në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike.
“Kjo ndërtesë e Qeverisë është okupuar nga një deputet, i cili që nga viti 2025 po e mban Kosovën peng dhe po e zhyt vendin në kriza të vazhdueshme. Jemi përballë një krize të shumëfishtë: një krizë kushtetuese të thellë, ndër më të rëndat që ka njohur historia e Kosovës, një krizë politike siç nuk kemi parë që nga paslufta, një krizë ekonomike, por edhe një krizë në raport me aleatët tanë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka pasur një buxhet prej rreth 4 miliardë eurosh, duke ngritur pyetjen se ku kanë shkuar këto para.
“Nuk kemi projekte konkrete në shëndetësi, nuk kemi investime të mjaftueshme në infrastrukturë dhe as në arsim. Jemi në një kolaps total”, është shprehur Behrami.