Rama: Çdo deputet që do të fusë dikë në punë permes telefonit, do të jetë vepër penale
Foto: Laura Hasani

Rama: Çdo deputet që do të fusë dikë në punë permes telefonit, do të jetë vepër penale

Aktuale September 03, 2026 - 11:15

“Çdo deputet që do të fusë dikë në punë me telefon do të konsiderohet vepër penale”. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që po zhvillohet në Pallatin e Brigadave.

Rama paralajmëroi se do të propozojë që ndërhyrjet e deputetëve për punësimin e personave përmes telefonatave ose mesazheve të konsiderohen vepër penale.

“Do ta propozoj këtë dhe do t’ju shoh të gjithëve në sy që ta votoni”, u shpreh Rama para deputetëve socialistë.

Kryeministri e lidhi këtë nismë me parimin e barazisë në qasjen ndaj institucioneve, duke argumentuar se deputetët nuk duhet të përdorin funksionin e tyre për t’u hapur dyer punësimi personave të caktuar.

“Çdo mesazh i çuar ‘fute këtë në punë’, ‘shife një cik atë’, do të konsiderohet vepër penale”, deklaroi Rama.

Sipas tij, një deputet që ndërhyn në këtë mënyrë, nuk është i denjë të përfaqësojë qytetarët që nuk kanë qasje personale tek ai.

“Sepse një deputet që bën këtë, nuk është i denjë që të jetë përfaqësues i atyre që nuk kanë akses te WhatsApp-i i tij, që nuk janë shokë fëmijërie të tij”, tha Rama.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Rama pritet të adresojë edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e administratës publike dhe rolin e deputetëve socialistë.