Lirohet Dukagjin Maxhuni, ishte arrestuar në Serbi nën dyshimet për krime lufte
Dukagjin Maxhuni është liruar nga autoritetet serbe, pasi ishte arrestuar më 12 gusht në pikën kufitare Batrovc, gjatë kalimit nga Serbia drejt Kroacisë.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci, i cili ka thënë se Maxhuni fillimisht ishte ndaluar për verifikim, ndërsa më pas ishte transferuar në Beograd, ku i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën pretendimet për krime lufte.
Koci ka deklaruar se që nga fillimi kishte besuar në pafajësinë e Maxhunit dhe se pretendimet ndaj tij nuk qëndronin.
“Dukagjin Maxhuni është liruar!”, ka shkruar Koci.
“Që atë ditë kam thënë se Dukagjini nuk është fajtor dhe se pretendimet ndaj tij nuk qëndrojnë. Sot është i lirë! Po kthehet te familja e vet”, ka deklaruar ai.
Avokati ka thënë se do të vazhdojë angazhimin profesional edhe për qytetarët e tjerë të Kosovës që, sipas tij, po mbahen padrejtësisht.
“Ka edhe qytetarë të tjerë tanë që po mbahen padrejtësisht. Mundësitë i kam të kufizuara, por do ta bëj edhe të pamundurën në aspektin profesional, për lirimin e tyre”, ka shkruar Koci.
“Kudo dhe kurdo që një qytetar i yni ka nevojë për ndihmë, do të angazhohem për të. Ky është misioni im!”, përfundoi ai. /Zëri