Familjet e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 12 shtatorit
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së kanë mbajtur konferencë për media lidhur me organizimin e protestës së 12 shtatorit dhe pritjen e verdiktit përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në marshin e 12 shtatorit, të organizuar nga “Liria ka Emër”.
Jashari e ka cilësuar Gjykatën Speciale si “politike” dhe procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë.
“Kjo konferencë është njoftim për organizimin për pritjen e verdiktit përfundimtar të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që gati gjashtë vite po mbahen padrejtësisht atje nga Gjykata Speciale”, ka deklaruar Jashari.
Ai ka përmendur në veçanti ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Jashari ka kritikuar edhe mënyrën e krijimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se ato janë themeluar mbi bazën e raportit të Dick Martyt dhe se pretendimet për trafikim organesh nuk janë provuar.
Sipas tij, shoqatat po bashkëpunojnë me organizata të tjera për pritjen e verdiktit përfundimtar, ndërsa ka bërë të ditur se synojnë që më 16 shtator të organizojnë pritjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne jemi duke punuar ngushtë me organizata të ndryshme, me këshilla të ndryshme mbarëkombëtare që me datën 16 t’i presim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mënyrë dinjitoze”, ka thënë ai.
Jashari ka deklaruar gjithashtu se në rast të një vendimi që ai e cilësoi si “politik”, organizatat nuk do të qëndrojnë indiferente.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 12 shtatorit, e cila do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.
“U bëj thirrje veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe gjithë njerëzve që e duan lirinë dhe e duan Kosovën të jenë me ne në sheshin ‘Skënderbeu’ më 12 shtator”, ka deklaruar Shurdhaj.
Protesta është paralajmëruar në prag të shpalljes së verdiktit përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
