Zjarri masiv në Himarë, digjen shtatë banesa dhe evakuohen banorë e turistë

Zjarri masiv në Himarë, digjen shtatë banesa dhe evakuohen banorë e turistë

Aktuale September 05, 2026 - 08:10

Një zjarr masiv ka përfshirë natën mes së premtes dhe të shtunës kodrat mbi qytetin e Himarës në Shqipëri, duke shkaktuar panik te banorët dhe turistët dhe duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e tyre.

Flakët, të favorizuara nga kushtet e terrenit dhe erërat, u përhapën me shpejtësi nga kodrat mbi lagjen “1 Maji” drejt pjesës së poshtme të qytetit. Sipas raportimeve nga mediat në Tiranë, zjarri ka përfshirë dhe ka dëmtuar shtatë banesa.

Për shkak të situatës së rrezikshme, Bashkia e Himarës urdhëroi evakuimin e banorëve dhe turistëve nga zonat e rrezikuara. Forca të shumta të Policisë së Shtetit u angazhuan në terren për të ndihmuar në largimin e tyre, ndërsa personat e evakuuar u sistemuan pranë vijës bregdetare, në zona më të sigurta.

Në operacionin për vënien nën kontroll të flakëve u angazhuan mjete dhe forca zjarrfikëse nga disa qytete të Shqipërisë. Në terren kanë ndërhyrë ekipe nga Fieri, Tirana, Peqini, Librazhdi, Tepelena, Himara, Vlora, Finiqi, Delvina, Saranda, Gjirokastra dhe Dropulli. Në ndihmë të forcave profesionale janë angazhuar edhe vullnetarë.

Gjatë natës, ndërhyrja nga ajri nuk ishte e mundur, pasi helikopterët dhe avionët zjarrfikës nuk kryejnë operacione të tilla gjatë orëve të errëta, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë për fluturim.

Ndërkohë, mëngjesin e së shtunës ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter, në përpjekje për të izoluar vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.