Shqipëria dhe Kosova prezantuan trashëgiminë kulturore në Festivalin e Ambasadave 2026
Trashëgimia e pasur kulturore shqiptare u prezantua në Festivalin e Ambasadave 2026 të zhvilluar në Hagë, ku Shqipëria dhe Kosova u përfaqësuan me një stendë të përbashkët.
Aktiviteti shërbeu si një mundësi për të promovuar kulturën, traditat dhe produktet shqiptare përpara vizitorëve nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë edicion të festivalit, dy ambasadat sollën një mozaik të pasur të kulturës, traditës dhe mikpritjes shqiptare, përmes shijeve autentike, aktiviteteve kulturore dhe atmosferës së veçantë që bashkon Kosovën dhe Shqipërinë.
Vizitorët patën mundësi të shijonin një gamë produktesh tradicionale, përfshirë ushqime, verëra, çokollata, gliko dhe reçelra, duke u njohur më nga afër me shijet dhe traditat kulinare shqiptare.
Atmosfera në stendën shqiptaro-kosovare u pasurua edhe me program artistik, ku performuan Ansambli “Dardanët” dhe këngëtarja Hajrie Preniqi Gashi, duke sjellë për publikun elementë të muzikës dhe folklorit shqiptar.
Ambasada e Shqipërisë në Hagë ndau në rrjetet sociale momente nga ky festival, i cili është një mundësi për të forcuar promovimin e identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare, përmes një prezantimi të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.
Për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit u vlerësua kontributi i bashkisë së Skraparit dhe “Natural Albania in the Netherlands”, ndërsa një falënderim iu drejtua edhe stafit të të dyja ambasadave për angazhimin dhe punën e palodhur në përgatitjen e pjesëmarrjes shqiptaro-kosovare.
Festivali i Ambasadave në Hagë mbledh përfaqësues të vendeve të ndryshme, duke krijuar një hapësirë për shkëmbim kulturor dhe promovimin e traditave, produkteve dhe vlerave të vendeve pjesëmarrëse.