KPK-ja shkëput memorandumet e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile
Me gjashtë vota për dhe vetëm një kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka aprovuar propozimin e kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, që të shkëputen të gjitha memorandumet e bashkëpunimit mes KPK-së dhe organizatave të shoqërisë civile.
I vetmi prej anëtarëve të KPK-së që votoi kundër këtij propozimi ishte Milot Krasniqi, ndërsa anëtarët e tjerë, Arian Gashi (kryesues), Zejnullah Gashi, Dardan Vuniqi, Elza Bajrami Kastrati, Visar Krasniqi, Arlinda Muqa, votuan kundër.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, në mbledhjen e 302 të Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se viteve të fundit, organizata dhe media të caktuara e kanë marrë primatin që të publikojnë pamje ekskluzive dhe informacione të personave të dyshuar në fazat fillestare.
Sipas Gashit, këto publikime nga mediat rrezikojnë integritetin e hetimeve, konfidencialitetin si dhe prekin sigurinë juridike.
Kryeprokurori Gashi e konsideron të papranueshme që në aksionet që zhvillohen bashkë me Policinë, Prokuroria i lejon që në rastet e arrestimit, bastisjeve të publikohen ato pamje të cilat i identifikojnë qartë edhe të pandehurit në procedurë. Sipas tij bëhet një gjykim publik për palët, për të pandehurit që janë subjekt i një hetimi të caktuar në fazën krejt fillestare.
Tutje, Gashi tha se duhet të ndalohet bashkëpunimi me organizata të ndryshme, dhe kërkoi nga Këshilli që memorandumet e lidhura me organizatat të shfuqizohen.
“Deri më tani kemi bashkëpunu me organizata të ndryshme, mendoj që duhet të ndalohen për arsye se ne jemi subjekt i padive të shumta që bëhen për veprimet tona në KGJK, të cilat vendime po e dëmtojnë buxhetin e Republikës së Kosovës, me veprime tona që në të ardhmen, vendimet po janë aktgjykimet lirues… unë mendoj që këto vendime duhet të shqyrtohen të vlerësohen, në këtë aspekt, mendoj që duhet edhe të shfuqizohen këto memorandume”, deklaroi kryeprokurori Gashi.
Sipas Gashit, memorandumet dhe bashkëpunimet me shoqërinë civile, nuk kanë bazë ligjore.
Tutje, Gashi ka thënë se besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë duhet të tregohet me argumente, duke ndërtuar aktakuza të mirëfillta, që aktakuzat janë të bazuar në prova, e që ato aktakuza të marrin epilog me aktgjykime dënues.
Më tej, Gashi tha se janë dëshmitarë të cenimit të integritetit të hetimeve në fazat fillestare, dhe kërkoi nga Këshilli që të shfuqizohen të gjitha memorandumet e bashkëpunimit mes KPK-së dhe organizatave të caktuara të shoqërisë civile.
“Format e bashkëpunimit në të ardhmen me të gjitha organizatat të shoqërisë civile të jenë me të gjitha dhe me mediat, dhe të jenë të barabarta dhe të rregullohen me rregullore të veçantë”, tha në fund Gashi.
Anëtari i KPK-së Milot Krasniqi tha se propozimi i tij është që t’u jepen në shikim të gjitha kopjet e memorandumeve dhe derisa të vendoset krijimi i një akti nënligjor që do t’i rregullonte format e bashkëpunimit, të mos shfuqizohen këto bashkëpunime.
“Me u trajtu në një pikë të veçantë, jo që sot me u shfuqizu këto memorandume të bashkëpunimit, se është thyerje e një zotimi që më parë e ka dhënë një ish-kryeprokuror i shtetit”, tha Krasniqi.
Lidhur me këtë propozim të Kryeprokurorit të Shtetit, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se disa prej memorandumeve të lidhura janë të skaduara, dhe nuk kanë më vlerë, pasi kanë qenë për një periudhë njëvjeçare.
Tutje, Gashi ka thënë se më qëllim të mos krijimit të një standardi të dyfishtë dhe me qëllim të trajtimit të barabartë të gjitha organizatave, është mirë që kjo çështje një herë e përgjithmonë të rregullohet, të standardizohet, të nxirret nga komisioni përkatës rregullorja dhe t’i dërgohet Këshillit për trajtim.
Gashi më tej ka thënë se ka pasur raste kur bastisjet janë bërë live, dhe si pasojë e kësaj ka pasur raste kur kanë filluar procedurat disiplinore ndaj kryeprokurorve që e kanë leju një gjë të tillë.