Gjyqi ndaj Shehollit, Rashiqi flet për kanosjet ndaj bashkëpunëtorëve: U prezantua si punëtor i BIA-s
Fatmir Sheholli, në seancën e parë dëgjimore ndaj tij, është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”.
Në lidhje me këtë rast ka folur edhe ministri në detyrë për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka rrëfyer për disa raste kërcënimesh ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Rashiqi tha se më 24 korrik 2025, pesë-gjashtë bashkëpunëtorë të tij ishin kontaktuar nga një numër telefoni i Serbisë. Sipas tij, personi në anën tjetër të telefonit ishte prezantuar si punëtor i BIA-s, duke u kërkuar atyre që të shkonin në Beograd dhe të bashkëpunonin.
“Për juve është keq, duhet të vini në Beograd të bashkëpunojmë. Nëse nuk bashkëpunoni me neve, do ta keni gjendjen e keqe”, tha Rashiqi, duke parafrazuar mesazhin që, sipas tij, iu ishte përcjellë bashkëpunëtorëve të tij.
Ministri në detyrë tregoi se pas këtij rasti e kishte kuptuar se situata nuk ishte e parëndësishme dhe kishte njoftuar organet e rendit.
“Unë prej atij momenti e dija që situata nuk ishte naive. Shkova ta lajmëroj rastin. Nga organet e rendit mu rekomandua që të presim për të zbuluar kush qëndron prapa këtij procesi”, deklaroi ai në Klan Kosova.
Rashiqi tha se fillimisht kishte pranuar rekomandimin e autoriteteve për të pritur dhe për të parë se kush qëndronte pas kërcënimeve. Megjithatë, sipas tij, rasti nuk përfundoi aty.
“Javën e ardhshme, i njëjti numër telefoni dërgoi mesazhin ‘Okej, nuk keni dashur të bashkëpunoni, do ta shihni, ju do ta bëjmë kështu-kështu’”, rrëfeu Rashiqi.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj Fatmir Shehollit, Rashiqi u shpreh i kujdesshëm për përgjegjësinë e tij, duke theksuar se nuk mund të thotë nëse ai është fajtor apo jo.
“Shkurt, nuk e di nëse është fajtor apo jo, por e di se kjo është mënyra se si kanë vepruar me neve”, tha Rashiqi.