100 ditë protesta në Shqipëri

100 ditë protesta në Shqipëri

Aktuale September 07, 2026 - 21:32

Protesta-maratonë kundër investimit në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 100-të, ndërsa qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile shprehen të vendosur për ta çuar deri në fund aksionin e tyre qytetar.

Aktivistët u bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm, duke e cilësuar 100-ditëshin si një moment të rëndësishëm për vijimin dhe përshkallëzimin e protestave.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë, ku artikuluan sërish kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të ashtuquajturës “kastë e vjetër” politike.

Kërkesat e tyre përfshijnë po ashtu shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.

Aktivisti Edison Lika siguroi se qytetarët do ta çojnë deri në fund kauzën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Lika theksoi se, pavarësisht 100 ditëve të protestave të njëpasnjëshme, qytetarët vijojnë të jenë po aq të motivuar dhe entuziastë sa në ditën e parë.

E emërtuar si “Revolucioni Flamingo”, vala e protestave nisi më 31 maj si reagim kundër ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec.

Tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Aktivistët kanë paralajmëruar gjithashtu vijimin e mosbindjes civile dhe përshkallëzimin e aksionit qytetar.