IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, shkelja e afatit s’mund të përdoret për bllokadë të re
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka vlerësuar pozitive gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për 9 shtator.
IKD-ja ka bërë thirrje që kjo seancë të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe të mos shndërrohet në një tjetër episod të bllokadës institucionale.
Sipas këtij instituti, konstituimi i Kuvendit është një obligim kushtetues që nuk mund të anashkalohet, pavarësisht faktit se afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi tashmë është tejkaluar.
“Fakti se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është shkelur nuk është çështje hipotetike. Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit prej 30 ditësh të përcaktuar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e IKD-së.
IKD-ja ka fajësuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç pretendon, pamundësimin e përfundimit të procesit brenda afatit kushtetues.
“Është fakt notor se përgjegjësia për këtë situatë i vie në barrë z. Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët qëllimshëm përmes veprimeve dhe mosveprimeve pamundësuan konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati”, thuhet më tej.
Instituti vlerëson se pasojat e bllokadës kanë shkuar përtej tejkalimit të një afati kushtetues, pasi deputetët e zgjedhur nuk kanë mundur ta ushtrojnë plotësisht mandatin e tyre, ndërsa Kuvendi ka mbetur jofunksional.
Sidoqoftë, IKD-ja thekson se fakti që afati është shkelur nuk mund të përdoret si argument për të mos e konstituuar Kuvendin edhe pas skadimit të tij.
“Shkelja e Kushtetutës do të përdorej si arsye për ta vazhduar edhe më tej pikërisht gjendjen antikushtetuese që është krijuar, duke lënë Kosovën pa institucione funksionale”, thuhet në reagim.
Sipas IKD-së, tejkalimi i afatit nuk e bën automatikisht juridikisht të pamundur formimin e Qeverisë apo zgjedhjen e presidentit nga kjo legjislaturë.
“Sipas praktikës së ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe standardeve që vetë kjo Gjykatë ka zhvilluar, dështimi për ta përfunduar konstituimin brenda afatit kushtetues nuk mund të interpretohet automatikisht si humbje e legalitetit apo legjitimitetit të kësaj legjislature për të vazhduar me ushtrimin e kompetencave të saj kushtetuese”, thuhet në reagim.
IKD-ja vlerëson se përgjegjësia kryesore për seancën e 9 shtatorit bie mbi ata që deri më tani kanë pamundësuar përfundimin e procesit dhe i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos përdorë kalkulime të reja politike lidhur me konstituimin e Kuvendit.
“Çdo ditë e re e bllokadës nuk e korrigjon shkeljen e deritanishme, vetëm e thellon atë”, thekson IKD-ja.
Instituti nënvizon se, në rrethanat aktuale, kur Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar një sanksion kushtetues për tejkalimin e afatit dhe çështja nuk është rikthyer për vlerësim në këtë Gjykatë, procesi duhet të vazhdojë.
“Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t’i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, përfundon IKD-ja.
Sipas këtij instituti, Kushtetuta nuk mbrohet duke e mbajtur Kuvendin të pakonstituuar, por duke i dhënë fund shkeljes dhe duke rikthyer institucionet në funksion. /Zëri