Hoti kërkon “Konventë të madhe të pajtimit” për LDK-në
Foto: Laura Hasani

Hoti kërkon “Konventë të madhe të pajtimit” për LDK-në

Aktuale September 08, 2026 - 13:03

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar mbajtjen urgjente të një konvente të madhe të kësaj partie, duke e cilësuar atë si të domosdoshme për qartësimin e rrugës së LDK-së përpara.

Hoti ka thënë se konventa duhet të shërbejë si një moment i ri për partinë dhe si një proces pajtimi e bashkimi të të gjitha strukturave të saj.

“LDK-ja ka nevojë urgjente për një konventë të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, në këtë konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat dhe potenciali politik i LDK-së, përfshirë anëtarët e Kuvendit Qendror, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin Parlamentar, kryetarët dhe kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, si dhe Forumet e Gruas dhe Rinisë.

Hoti ka theksuar se konventa duhet të përcaktojë edhe ekipin që do ta udhëheqë partinë drejt zgjedhjeve të ardhshme.

“Konventa duhet të jetë një BASHKIM i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Ai ka vënë theks të veçantë te rikthimi i besimit brenda partisë, duke e konsideruar atë parakusht për unitet dhe punë ekipore.

“Mbi të gjitha, KONVENTA duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka deklaruar se është i gatshëm të angazhohet për organizimin e kësaj konvente, të cilën e ka cilësuar si “konventë të pajtimit të madh”.

“Vetëm një LDK e bashkuar mund të fitojë besimin e qytetarëve”, ka përfunduar ai, duke e përmbledhur mesazhin e tij me katër fjalë: “PAJTIM – BASHKIM – BESIM – FITORE”. /Zëri