“Në emër të popullit serb”, Haxhiu i kërkon Simiqit ta tërheqë deklaratën, ai refuzon – ia ndërpret fjalën
Foto: Laura Hasani

“Në emër të popullit serb”, Haxhiu i kërkon Simiqit ta tërheqë deklaratën, ai refuzon – ia ndërpret fjalën

Aktuale September 09, 2026 - 13:39

Pas deklaratës së deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë propozimit të kandidatit për nënkryetar të Kuvendit tha se po e bënte atë “në emër të popullit serb”, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi deklaratën si të papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke i kërkuar Simiqit ta tërhiqte fjalën dhe propozimin ta bënte në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

“Dua të ndalem te deklarimi i deputetit të Kuvendit, Igor. Ka bërë një deklarim të papranueshëm. Ky deklarim është kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Populli serb është në Serbi. Ky deklarim është i papranueshëm dhe kërkoj ta tërhiqni dhe të bëni propozimin në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit”, tha Haxhiu.

Simiqi iu përgjigj duke thënë se propozimin e kishte dorëzuar me shkrim, ashtu siç ishte kërkuar nga kryesia e Kuvendit.

“Ta kam dorëzuar me shkrim, siç keni kërkuar ju...”, deklaroi Simiqi.

Haxhiu kërkoi nga regjia që t’ia ndërpriste mikrofonin, duke insistuar që deputeti i Listës Serbe vetëm ta tërhiqte deklaratën lidhur me mënyrën e formulimit të propozimit.

Simiqi vazhdoi duke thënë: “Unë jam pjesëtar i popullit serb...”, por Haxhiu ia ndërpreu sërish fjalën.

Pas debatit, Haxhiu tha se Rregullorja e Kuvendit përcakton masat që mund të ndërmerren në raste të tilla.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se në takimin e zhvilluar mes grupeve parlamentare nuk kishte pasur pajtim lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas saj, shqetësime të ngjashme me ato të ngritura ndaj propozimit të Simiqit janë shprehur edhe për propozimet e tjera për nënkryetarë.

“Në takim nuk pati dakordim për nënkryetarët e Kuvendit. Nuk ka vota për nënkryetarët”, tha Haxhiu.

Haxhiu njoftoi se seanca e Kuvendit do të vazhdojë të premten, në orën 11:00.