Ipeshkvi Dodë Gjergji mbështet Marshin për Liri të 12 shtatorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji mbështet Marshin për Liri të 12 shtatorit

Aktuale September 09, 2026 - 14:05

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka shprehur mbështetjen për Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.

Mbështetja u bë e ditur pas një takimi të ipeshkvit Gjergji me përfaqësuesit e platformës qytetare "Liria ka Emër”, në kuadër të aktiviteteve dhe takimeve të kësaj platforme në prag të marshit.

Gjatë takimit është diskutuar për organizimin e marshit, rëndësinë e tij dhe mesazhin e solidaritetit me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ish-krerët e UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, dhe familjet e tyre.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, e kanë njoftuar Ipeshkvin Gjergji për mobilizimin qytetar dhe aktivitetet që, sipas tyre, po zhvillohen në mbarë Kosovën në prag të 12 shtatorit.

Sipas njoftimit të “Liria Ka Emër”, Imzot Dodë Gjergji ka vlerësuar rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe qëndrimit të përbashkët në mbështetje të vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.

Platforma qytetare ka falënderuar Ipeshkvin Gjergji për pritjen dhe mbështetjen ndaj kësaj nisme.

Marshi për Liri është paralajmëruar të mbahet më 12 shtator, duke nisur nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /Zëri