Hamza: Kurti e di qëndrimin e PDK-së, nuk është çështje emrash për nënkryetarët e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Hamza: Kurti e di qëndrimin e PDK-së, nuk është çështje emrash për nënkryetarët e Kuvendit

Aktuale September 09, 2026 - 23:11

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se çështja e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nuk lidhet me emrat e kandidatëve, por me respektimin e Kushtetutës dhe rregullave për përfaqësimin e subjekteve politike.

Në një lidhje telefonike në RTVDukagjini, Hamza tha se qëndrimi i PDK-së është i qartë dhe se postet e nënkryetarëve u takojnë subjekteve politike sipas radhës së përcaktuar me Kushtetutë.

“E din ai [Kurti] qëndrimin e PDK-së, ia kam bërë shumë të qartë. Është e rregulluar me Kushtetutë kujt i takojnë nënkryetarët. Janë poste që iu takojnë subjekteve politike sipas radhës, qysh janë zgjedhur në të kaluarën, dhe kjo e ka logjikën e vet. Me i pasë opozita numrat është pozitë”, deklaroi Hamza.

I pyetur nëse duhet të diskutohet për ndërrimin e emrave të kandidatëve për nënkryetarë, Hamza tha se kjo nuk është çështje emrash.

“Nuk është çështje emrash kjo. Nuk janë ata që e përcaktojnë kush ka me qenë nënkryetar nga radhët e PDK-së”, tha ai.

Hamza e cilësoi si “gjetje të re” kundërshtimin ndaj emrave të propozuar, duke akuzuar se përmes kësaj po vazhdohet vakumi institucional.

“Kjo është një gjetje e re e tyre për me vazhdu këtë vakum institucional, me dëmtu shtetin e qytetarët e Kosovës, me rezultatet e dobëta në arsim, me gjitha problemet që ia ka shkaktu vendit, që tri vite thuajse duke e mbajtur vendin të bllokuar”, deklaroi Hamza.