Shiringa e çantë pushke – krejt çka u gjet në objektin ku dyshohet se kultivohej droga në Obiliq
Ditë më parë ishte e mbushur me gjësende jo fort të zakonshme.
Por 48 orë pas, gjithçka është pastruar.
Është ky objekti i ish shkollës teknike në Obiliq, ku dyshohet se po kultivoheshin bimë narkotike.
Kujdesi për kultivimin e tyre duket se ishte bërë në mënyrë të organizuar.
Uji përcillej përmes gypave deri te bimët, për të mundësuar kalimin e tyre nga njëra hapësirë në tjetrën.
Për ta lehtësuar qarkullimin brenda objektit, ishin thyer edhe mure të tjera që ndanin dhomat.
Ndërkohë, për ta mbajtur aktivitetin e fshehtë, në njërën prej dhomave, dritaret ishin mbyllur me tulla dhe gazeta.
E për të krijuar kushtet e nevojshme për kultivim, ishte siguruar edhe energjia elektrike, e cila ishte sjellë në podrum nga katet e sipërme të objektit.
Kjo shkollë teknike për 27 vjet kishte qenë jashtë funksionit dhe nën kontrollin e disa individëve të nacionalitetit serb.
Përveç dyshimeve për kultivim të bimëve narkotike, në këtë hapësirë dyshohet se ka funksionuar edhe një Ambulancë ilegale e Mjekësisë Familjare.
Për këto veprimtari ka folur edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.
“Ka vazhduar të jetë e uzurpuar nga disa persona që në vazhdimësi e kanë përdorë për veprimtaritë e tyre ilegale …. Sipas organeve të rendit të njësitit antidrogë, aty është konstatuar se aty është kultivuar njëra nga bimët narkotike”, u shpreh kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.
Pas kthimit të dy objekteve në pronësi të Komunës, në këtë hapësirë u thyen edhe xhamat e objektit.
Dyshohet se pas këtij veprimi qëndrojnë persona nga komuniteti serb.
Në objekt u gjet edhe një çantë e pushkës, por brenda saj nuk kishte armë.
Në mure kishte grafite kundër Policisë së Kosovës, si dhe shenja të përdhosjes së uniformës së policisë.
Në një prej dhomave ku qëndronte një person, u gjetën edhe shiringa, për të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur për marrjen e substancave narkotike.
Aty u gjet edhe një dokument mjekësor, i vulosur në Beograd, që i përkiste personit që dyshohet se qëndronte në objekt.
Bëhet fjalë për Nikolla Tishman.
Ndërkohë, për këtë objekt dhe hapësirat e tjera në këtë zonë, Komuna e Obiliqit ka paralajmëruar renovim.
“Do të bëhet vetëm renovimi i brendshëm. Unë besoj dhe jam shumë i bindur se nuk ka nevojë për rrënim, por ka nevojë për rinovim të brendshëm. Ato klasë të viteve të 60-ta të kthehen në një shkollë bashkëkohore të vitit 2026”, ka deklaruar tutje Thaçi
Tëvë1 ka provuar të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me këto dyshime dhe gjetjet në objekt, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka pranuar përgjigje.