Në nderim të viktimave të 11 shtatorit, në Ferizaj organizohet aksion humanitar për dhurim gjaku

Në nderim të viktimave të 11 shtatorit, në Ferizaj organizohet aksion humanitar për dhurim gjaku

Aktuale September 11, 2026 - 08:47

Ilir Mezelxhiu, në emër të shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ka njoftuar se në Ferizaj është organizuar një aksion humanitar për dhurim vullnetar të gjakut, në përkujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aksioni është organizuar në bashkëpunim me Kryetarin e OVL-UÇK në Ferizaj, Afrim Mehmeti, veteranë të luftës dhe anëtarë të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, si dhe me Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.

Sipas Mezelxhiut, aktiviteti është zhvilluar në shenjë solidariteti, respekti dhe miqësie me popullin amerikan, duke nderuar kujtimin e të gjithë personave që humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit.

“Përmes këtij gjesti humanitar, dëshirojmë të përcjellim mesazhin se dhimbja na bashkon, solidariteti na forcon dhe miqësia ndërmjet popullit të Kosovës dhe popullit amerikan mbetet e përjetshme”, ka thënë Mezelxhiu.

Ai ka theksuar se aktiviteti synon të përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe të miqësisë së qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kosova dhe Amerika – miqësi dhe solidaritet përjetë”, thuhet në mesazhin e shoqatës “Miqtë e Amerikës”.