Bajqinovci: Nuk i votuam kandidatët e LDK-së dhe PDK-së për nënkryetarë, sepse nuk duam zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Bajqinovci: Nuk i votuam kandidatët e LDK-së dhe PDK-së për nënkryetarë, sepse nuk duam zgjedhje

Aktuale September 11, 2026 - 17:24

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk i kanë votuar kandidatët e LDK-së dhe PDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, pasi, sipas tij, qëllimi i tyre është konstituimi i plotë i institucioneve dhe jo shkuarja e vendit në zgjedhje.

Bajqinovci, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, se deklarimet e opozitës, përfshirë ato të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, sipas të cilit Kuvendi duhet të konstituohet dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje, tregojnë se synimi është nisja e afatit 60-ditor që çon drejt zgjedhjeve.

“Ne në përgjithësi si votuam as kandidatin e LDK-së as të PDK-së pasi dihet fare mirë që ne dëshirojmë që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës t’i konstituojmë dhe jo vetëm Kuvendin. Arsyeja kryesore është se opozita kemi pas edhe deklarimet publike si të Avdullah Hotit që ka thënë se duhet të konstituohet Kuvendi dhe të shkojmë në zgjedhje – kemi pas deklarimet publike – këta po e kërkojnë çështjen kohore që menjëherë të filloj afati kohor prej 60 ditësh. E dyta dy kandidatët në këtë rast Kujtim Shala i cili pas arritjes së marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje ka dal me grupin e tij tashmë publikisht prej 6 deputetëve i cili e ka penguar zgjedhjen e presidentit – në këtë rast haptas kërkojnë që të shkojmë në zgjedhje. Ne nuk jemi të interesuar që të shkojmë në zgjeshje, ne jemi të interesuar t’i krijojmë institucionet por jo vetëm zgjedhjen e nënkryetarëve e që vendi të shkojë në zgjedhje, kjo është arsyeja që ne nuk i kemi votuar”, u shpreh Bajqinovci.

Bajqinovci, mes tjerash, foli edhe për mos votimin e Vlora Çitakut për nënkryetare nga radhët e PDK-së.

“Për sot kjo lidhet edhe me dje, Albulena Haxhiun nuk e kanë votuar dhe dje nuk pati konsensus, këta (PDK) nuk e votuan Haxhiun, nuk po e votojnë presidentin, nuk po e votojnë kryetarin e Kuvendit dhe po kërkojnë prej nesh që të votojmë nënkryetarët teksa të njëjtit po duan që të qojnë vendin në zgjedhje”, u shpreh Bajqinovci.