Institucionet përballen me sfida në mbrojtjen e viktimave të dhunës
Foto: Laura Hasani

Institucionet përballen me sfida në mbrojtjen e viktimave të dhunës

Aktuale September 12, 2026 - 21:23

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet shqetësuese. Vetëm në katër vitet e fundit, në Kosovë janë vrarë 11 gra, ndërsa që nga viti 2010, numri arrin në 62. Raportimet për dhunë fizike e psikologjike ndaj grave vazhdojnë të jenë të pranishme në raportet e policisë çdo ditë, ndërsa institucionet përballen me sfida në mbrojtjen e viktimave dhe trajtimin e përsëritësve të dhunës.

Mbrëmë, Policia e Kosovës raportoi për një vdekje të dyshimtë të një gruaje në Fushë Kosovë, për të cilën tashmë ka nisur hetimi. Ky rast vjen në një kohë kur dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një problem serioz. Vetëm gjatë muajit gusht, dy gra u vranë nga burrat e tyre, njëra në Malishevë dhe tjetra në Prizren.

Ndërkohë, raportimet për dhunë në familje po shtohen edhe në ditët e fundit. Rastet përfshijnë dhunë fizike dhe psikike, kryesisht ndaj grave. Në disa prej tyre, viktimave u është ofruar trajtim mjekësor, strehim dhe mbrojtje, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar ose janë proceduar në gjendje të lirë. Por, krahas rasteve të raportuara, shqetësues mbetet edhe numri i grave që kërkojnë strehim dhe mbështetje.

“Nga janari deri më sot, gjithsej janë strehuar 79 raste të dhunës në familje, mirëpo ka edhe raste kur u ofrojmë edhe këshillime ditore. Tremujori i fundit ka pasur një rritje të dukshme të rasteve, që do të thotë se brenda tremujorit të fundit i kemi pasur 52 raste që kanë marrë shërbime në strehimoren tonë. E mira është që kohëve të fundit rastet janë vetëdijesuar dhe po e paraqesin dhunën”, tha Zana Hamiti, drejtoreshë e Strehimores.

Sociologët thonë se situata është alarmante si shkak i një strukture të shoqërisë në nivelin patriarkal.

“Kemi të bëjmë me normalizimin e dhunës. Ajo po shfaqet, po ndodh dhe nuk po mund të kontrollohet”, theksoi Genc Xerxa.

Për mbrojtësit e viktimave, një tjetër hallkë problematike mbetet trajtimi i personave që e përsërisin dhunën.

“Ne ende nuk kemi kapacitete të mjaftueshme që të merremi me recidivistët, në këtë rast me kryerësit e dhunës në familje, që duan një trajtim më afatgjatë, e sidomos rastet me përdorim të substancave narkotike dhe rastet me sëmundje psikike duan një trajtim të vazhdueshëm dhe të gjatë”, tha Burhan Maxhuni, mbrojtës i viktimave.

Shifrat e vrasjeve e bëjnë edhe më alarmante situatën. Në katër vitet e fundit, në Kosovë janë vrarë 11 gra, ndërsa që nga viti 2010 janë vrarë 62 gra, kryesisht nga burrat e tyre./rtk