Gruda: PDK-ja nesër do t’i drejtohet Kushtetueses edhe për zgjedhjen e qeverisë
Foto: Laura Hasani

Gruda: PDK-ja nesër do t’i drejtohet Kushtetueses edhe për zgjedhjen e qeverisë

Aktuale September 14, 2026 - 09:36

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se përveç konstituimit të Kuvendit, të cilin e kanë kontestuar sot në Gjykatën Kushtetuese, nesër do të dorëzojnë kërkesë edhe për kontestimin e zgjedhjes së qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të shkelë çdo afat e pastaj të përfitojë nga këto lloj shkeljesh.

“Nuk na ka mbetur rrugë tjetër, përveçse t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Ka një parim themelor në drejtësi që thotë që askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet. Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të shkelë çdo afat dhe në fund të përfitojë nga këto lloj shkeljesh. Nuk mund të krijojmë një precedent ku një parti politike i zëvendëson afatet e përcaktuara në Kushtetutë me afatet e veta politike. Asnjë shumicë, sado e madhe qoftë ajo, nuk mund të shkelë Kushtetutën. Kushtetuta ekziston për të kornizuar pushtetin, për të vendosur nën një kornizë. Nëse Kuvendi i Kosovës është themeluar me këto pikëpyetje kushtetuese, vendimet që dalin nga ai kanë probleme po ashtu kushtetuese. Prandaj, ne sot, përveç konstituimit të Kuvendit që kontestuam sot formës së konstituimit të afateve, nesër do të dorëzojmë një kërkesë tjetër ku do të kontestojmë zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Kuvendi të zgjedhë organet qendrore të shtetit, duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese dhe me legjitimitetin e vet”, ka thënë ai.

Gruda ka thënë se qeveria “Kurti” ka problem me kushtetutshmërinë dhe legjitimitetin e vet.

“Në një demokraci kushtetuese, legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota, vetëm nga numrat. Në demokraci kushtetuese, legjitimiteti i institucioneve të shtetit buron nga respektimi i Kushtetutës po ashtu. Prandaj, kjo qeveri ka probleme, dhe ky pushtet në tërësi ka problem me kushtetutshmërinë dhe legjitimitetin e vet. Ju faleminderit shumë dhe po ia kaloj tash fjalën kolegut tonë”, tha Gruda.

Image