Rama akuzon Qeverinë: U përjashtova nga fjala në forumin për Lojërat Mesdhetare 2030
Foto: Laura Hasani

Rama akuzon Qeverinë: U përjashtova nga fjala në forumin për Lojërat Mesdhetare 2030

Aktuale September 14, 2026 - 10:15

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka ndërhyrë në organizimin e forumit “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, duke kërkuar, sipas tij, që ai të përjashtohet nga lista e folësve.

Rama, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se forumi, i organizuar nga European Investors Council (EIC) është zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030, ndërsa Prishtina është qyteti nikoqir i kësaj ngjarjeje.

Sipas Ramës, përjashtimi i tij nga fjala nuk ka qenë çështje protokollare, por vendim politik.

“Përjashtimi si model i Qeverisë i Albin Kurtit! Prishtina është qyteti nikoqir i Lojërave Mesdhetare 2030. Megjithatë, në forumin ‘Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage’, të organizuar pikërisht për rrugën drejt vitit 2030, nga European Investors Council (EIC), unë si Kryetar i Prishtinës përjashtohem nga fjala, sipas organizatorëve, me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit”, ka shkruar Rama.

Ai ka pretenduar se bëhet fjalë për “presion ndaj organizatorëve”, duke e lidhur këtë me mënyrën e qeverisjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Kjo nuk është gafë protokollare. Është vendim politik dhe është presion ndaj organizatorëve!”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka kritikuar edhe faktin që, sipas tij, një forum i cili synon koordinimin, partneritetin dhe tërheqjen e investimeve është shoqëruar me përjashtim institucional.

“Ironikisht ky forum është i organizuar për koordinim, partneritet dhe investime.

Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik”, ka shkruar ai.

Rama ka vlerësuar se përjashtimi i kryetarit të kryeqytetit nga një forum që lidhet drejtpërdrejt me “Prishtina 2030” është i papranueshëm.

“Të organizosh forum për Prishtina 2030 dhe të kërkosh përjashtimin e Kryetarit të Prishtinës nga fjala është institucionalisht absurd dhe politikisht simptomatik. Lojërat Mesdhetare nuk janë instrument partiak i Vetëvendosjes. Prishtina 2030 nuk është pronë politike e askujt. Është përgjegjësi institucionale ndaj qytetarëve të Prishtinës, sportistëve dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë Rama.

Në fund, ai ka kritikuar drejtpërdrejt Kurtin, duke thënë se, pavarësisht ndikimit të tij në listën e folësve, projekti është më i madh se përplasjet politike.

“Albin Kurti mund ta kontrollojë listën e folësve, por Prishtina 2030, fatmirësisht, është shumë më e madhe se lista e tij, komplekset e tij dhe deficitet e tij personale”, ka përfunduar Rama.