“Top secret-kopje e vërtetuar”, Policia fton qytetarët për kujdes ndaj mesazheve mashtruese
Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara që po qarkullojnë e që në mënyrë të paautorizuar përdorin emrin, logot, vulat dhe nënshkrimin e falsifikuar të institucioneve të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se dokumenti që po qarkullon nuk është njoftim zyrtar i saj dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen kërkesave të tilla.
Qytetarët këshillohen të mos ndajnë të dhëna personale, të mos dërgojnë dokumente ose informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime duke u bazuar në mesazhe të tilla.
Sipas Policisë, janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Për informacionet zyrtare, qytetarët duhet t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve.
Policia ka publikuar edhe disa këshilla për qytetarët në rast se pranojnë mesazhe të dyshimta:
- Mos klikoni në linqe të dyshimta.
- Mos jepni të dhëna bankare apo personale.
- Mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
- Fshijeni menjëherë mesazhin e dyshimtë.
- Raportojeni rastin tek autoritetet përkatëse.
- Kontaktoni bankën nëse keni ndarë të dhëna bankare.
- Raportoni përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose telefononi në numrin 192.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së qytetarëve, informimit të saktë dhe parandalimit të mashtrimeve dhe keqpërdorimit të identitetit institucional.