Specialja lëshon komunikatë për vendimin skandaloz që dënoi ish-krerët e UÇK-së
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka njoftuar për vendimin skandaloz sot, ku ka shpallur fajtorë për krime lufte ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas aktgjykimit, të katër të akuzuarit janë shpallur penalisht përgjegjës për ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme, transmeton Zeri.info.
Në total, Trupi Gjykues konstatoi përgjegjësi penale për:
385 persona në rastet e ndalimit arbitrar;
49 persona në rastet e trajtimit mizor;
303 persona në rastet e torturës;
96 persona në rastet e vrasjes së paligjshme.
Dënimet
Trupi Gjykues shqiptoi këto dënime:
Hashim Thaçi – 25 vjet burgim
Kadri Veseli – 18 vjet burgim
Rexhep Selimi – 13 vjet burgim
Jakup Krasniqi – 25 vjet burgim
Në dënime është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Ndërkaq, të katër të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi Prokurori i Specializuar, sipas Trupit Gjykues, nuk arriti të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër një popullate civile.
Ata janë shpallur gjithashtu të pafajshëm lidhur me një numër incidentesh të tjera të krimeve të luftës.
Gjykata: Në shënjestër ishin edhe persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un
Sipas aktgjykimit, gjatë konfliktit në Kosovë, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e asaj që Trupi Gjykues e cilësoi si qëllim kriminal të përbashkët për shënjestrimin e kundërshtarëve të qëllimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së.
Në mesin e personave të shënjestruar, sipas gjykatës, ishin edhe shqiptarë të Kosovës me lidhje me forca të tjera politike ose ushtarake, përfshirë LDK-në dhe FARK-un, persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, si dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera etnike, përfshirë romë dhe serbë.
Gjykata tha se shënjestrimi i tyre mori formën e vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe formave të tjera të keqtrajtimit.
Me përjashtime të kufizuara, Trupi Gjykues konstatoi se nuk kishte prova se viktimat kishin qenë të përfshira në veprimtari kriminale, kishin marrë pjesë aktive në luftime apo përbënin ndonjë shqetësim tjetër legjitim të sigurisë për UÇK-në.
Roli i Hashim Thaçit
Për Thaçin, Trupi Gjykues konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe shef i Drejtorisë Politike, ai kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët që përfshinte krijimin e objekteve të ndalimit, identifikimin, arrestimin dhe ndalimin e personave të konsideruar kundërshtarë të UÇK-së, si dhe vrasjen e tyre kur ishte e nevojshme.
Gjykata konstatoi gjithashtu se Thaçi mori pjesë personalisht në disa krime, përfshirë arrestimin, ndalimin arbitrar dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve, si dhe arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit.
Roli i Kadri Veselit
Në lidhje me Veselin, gjykata konstatoi se, si shef i Drejtorisë së Zbulimit, ndër përgjegjësitë e tij kryesore ishte identifikimi, sigurimi i informacionit, vëzhgimi dhe neutralizimi i personave të dyshuar si “kolaboracionistë”.
Trupi Gjykues konstatoi se Veseli ishte përfshirë personalisht në identifikimin dhe shënjestrimin e kundërshtarëve, ndërsa theksoi se informacioni i zbulimit mbi bazën e të cilit shumë viktima u arrestuan, u ndaluan dhe u vranë ishte kryesisht thashetheme të paverifikuara.
Roli i Rexhep Selimit
Për Selimin, gjykata konstatoi se pozita e tij si inspektor i përgjithshëm i jepte më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të UÇK-së krahasuar me të akuzuarit e tjerë.
Megjithatë, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, shef i Drejtorisë Operative dhe inspektor i përgjithshëm, sipas gjykatës, ai nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe toleroi shkelje të rënda të saj.
Gjykata konstatoi gjithashtu se Selimi mori pjesë në arrestimin dhe ndalimin e 13 parlamentarëve.
Roli i Jakup Krasniqit
Sa i përket Krasniqit, Trupi Gjykues konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike, si dhe zëdhënës dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, ai kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve.
Sipas gjykatës, përmes komunikatave, deklaratave politike, fjalimeve publike dhe urdhrave, Krasniqi inkurajoi kryerjen e krimeve ndaj personave të konsideruar kundërshtarë.
Kryegjykatësi: Gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, Kryegjykatësi theksoi se çështja gjyqësore nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo synimin e saj për një Kosovë të pavarur, por me përdorimin e mjeteve kriminale nga disa prej anëtarëve të saj për realizimin e këtyre qëllimeve.
Ai theksoi gjithashtu se gjykimi nuk kishte të bënte me krimet e kryera nga forcat dhe paraushtarakët serbë kundër shqiptarëve të Kosovës, por vetëm me pyetjen nëse ishin kryer krimet e përfshira në aktakuzë dhe nëse të akuzuarit mund të mbanin përgjegjësi penale për to.
Gjykimi zgjati më shumë se tre vjet
Aktakuza fillestare ndaj katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërsa gjykimi nisi më 3 prill 2023.
Gjatë procesit, Trupi Gjykues mori prova nga 273 dëshmitarë dhe pranoi 5,467 prova materiale. Në proces u shqyrtuan gjithashtu 1,017 fakte të bëra objekt të konstatimit gjyqësor në procese të tjera dhe 29 fakte të pranuara.
Transkriptet e procesit gjyqësor kanë arritur në 29,238 faqe.
Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa deklaratat përmbyllëse u paraqitën nga 9 deri më 18 shkurt 2026./Zëri