Lladrovci pas aktgjykimit në Hagë: Drejtësia ndaj ish-krerëve të UÇK-së sot u bë padrejtësi
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është shprehur i tronditur nga aktgjykimi i shpallur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se vendimi i vetëm i drejtë do të ishte pafajësia.
Lladrovci, i cili e përcolli shpalljen e aktgjykimit së bashku me qytetarët në sheshin e Drenasit, ka deklaruar se ish-udhëheqësit e UÇK-së mbeten të pafajshëm për popullin e Kosovës.
“Drejtësia sot u bë padrejtësi! Heronjtë tanë të luftës dhe paqes kanë qenë, janë dhe përgjithmonë mbesin të pafajshëm. Jam shumë i tronditur nga vendimi. Pafajësia është vendimi i vetëm i drejtë”, shkroi ai.
Kryetari i Drenasit ka theksuar se akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kanë rënë poshtë, ndërsa qëllimi i luftëtarëve të UÇK-së, sipas tij, ishte çlirimi i vendit.
“Çlirimi dhe liria ishin qëllimi i vetëm i çlirimtarëve”, ka deklaruar Lladrovci, duke shtuar se rruga drejt lirisë nuk ishte e lehtë dhe se ajo nuk do të arrihej pa ndihmën e aleatëve dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Ai ka thënë se përpjekjet e shteteve që i ka cilësuar si jomiqësore për ta kriminalizuar UÇK-në kanë dështuar.
“Adresa e vetme e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë është Serbia”, shkroi Lladrovci.
Sipas tij, kundërshtimi i fuqishëm i vendimeve që i konsideron të padrejta duhet të mbetet prioritet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe të institucioneve të Kosovës.
“UÇK-ja është vetë liria, liria nuk gjykohet”, përfundoi Lladrovci.