Shala pas aktgjykimit në Hagë: Sot u dënuan lufta e UÇK-së dhe liria e Kosovës

Shala pas aktgjykimit në Hagë: Sot u dënuan lufta e UÇK-së dhe liria e Kosovës

Aktuale September 16, 2026 - 14:56

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në një intervistë për Radio Prishtinën, ka bërë të ditur se me këtë vendim nuk janë dënuar vetëm krerët e UÇK-së, por janë dënuar ADN-ja e lirisë dhe e çlirimit të Kosovës.

Shala tha se me këtë aktgjykim janë dënuar edhe viktimat civile të luftës, duke përmendur rreth 1.400 fëmijë të vrarë nga forcat serbe, si dhe rreth 20 mijë gratë e dhunuara gjatë luftës.

Sipas tij, vendimi prek edhe familjet emblemë të shtetit të Kosovës, duke përfshirë, siç u shpreh ai, edhe kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin.

“Ky është një vendim që po na dëshmon një gjë, që historia ka pasur të drejtë, kur ne s’kemi besuar se Evropa do ta bënte një veprim të tillë, duke e dënuar pafajësinë dhe duke e dëshmuar se Kosova nuk ka pasur të drejtë të ekzistojë, sepse në të kundërtën nuk do të ishte ky aktgjykim i formës që është dhënë”, ka thënë Shala.

“Pra, sipas tyre, ne është dashur që të pajtohemi dhe të jetojmë në ish-sistemin dhe assesi të tentojmë të krijojmë liri”, ka shtuar ai.

Shala ka folur edhe për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe bombardimet e vitit 1999, duke u shprehur se me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka thënë se janë dënuar edhe ata që qëndruan në krah të Kosovës.

“Pa dyshim se mund ta konstatoj një fakt, se ky vendim i kësaj Gjykate, e cila përveç drejtësisë e dha edhe padrejtësinë, dhe me këtë padrejtësi, edhe NATO-ja që nga krijimi i saj, për herë të parë, ka dëshmuar dhe ka intervenuar ushtarakisht në Kosovë, falë djemve dhe vajzave, burrave edhe grave, të cilët ishin pjesë përbërëse e UÇK-së”, ka thënë Shala.

Ai ka përmendur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjeneralin Wesley Clark, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe ish-presidentin francez Jacques Chirac e shumë të tjerë.

“Jo vetëm NATO-ja si strukturë, por është dënuar edhe SHBA-ja, është dënuar gjenerali Clark, është dënuar Tony Blair, Chiraku e shumë e shumë liderë të tjerë botërorë, të cilët ishin, në ditët më të vështira të popullit të Kosovës, pra ishin krah tyre”, tha Shala.

Sipas tij, vendimi mund të përdoret nga Serbia për ta paraqitur luftën dhe rrugëtimin e Kosovës si veprim kriminal.

“Ky qëndrim dhe ky reflektim negativ që është dhënë nga kjo gjykatë fashiste, pa dyshim që e ka tanimë një njollë të zezë të faktorit ndërkombëtar, sepse kjo pastaj do t’i hapë mundësinë e hapjes së Kutisë së Pandorës, nga ana e shtetit kriminal të Serbisë, që ta shfrytëzojë këtë vendim në instanca të ndryshme, duke tentuar që Kosovën dhe gjithë rrugëtimin e saj ta paraqesë si veprim kriminal”, ka thënë ai.

I pyetur se çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës pas këtij aktgjykimi dhe nëse ka ende shpresë në aspektin politik e juridik që çlirimtarët të jenë të lirë, Shala është shprehur optimist.

“Dielli do të lindë përsëri”, tha ai, raporton Zeri.info.

Sipas Shalës, beteja për luftën e UÇK-së tashmë është bartur nga fusha e betejës në atë juridike.

“Në këtë segment, kjo është vetëm një betejë për luftën e pastër të UÇK-së. Tanimë nga fushëbeteja klasike është bartur në fushëbetejën e cila njihet si gjykatore dhe që vendimet aty janë më të rënda, dhe veprimet janë më të rënda në aspektin juridik”, deklaroi Shala.

Ai tha se në aspektin juridik ekzistojnë ende mundësi për ankesë.

“Ne i kemi edhe dy instanca minimale administrative për pjesën e Apelit dhe Supremes, por njëkohësisht ekziston edhe Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara”, tha ai.

Shala beson se ekipet mbrojtëse do ta kundërshtojnë vendimin në instancat përkatëse.

“Në aspektin juridik besoj që ekipi mbrojtës i katërshes do të hartojë një dokumentacion, duke atakuar çdo pikë të nxjerrë nga ana e këtij trupi gjykues. Por tani problemi qëndron te aspekti politik”, tha Shala.

Ai kërkoi reflektim institucional dhe politik pas vendimit.

“Ne do të duhet të kemi një reflektim substancial, në kuptimin e asaj se ku jemi, ku gjendemi dhe se ku dëshirojmë të mbërrijmë. Sepse ky veprim, kjo formë dhe kjo mënyrë e mosreagimit politik e institucional, nuk është aspak e drejtë, se në fund të ditës, kjo Gjykatë juridikisht është e jona dhe e shtetit të Kosovës. Por ka agravuar nga pjesa e mbikëqyrjes që do të duhej të ishte më e rreptë”, tha Shala.

Sipas Shalës, gjatë procesit gjyqësor janë ngritur edhe shqetësime lidhur me të drejtat e të akuzuarve.

“E kemi vërejtur të gjithë ne se gjatë procesit gjyqësor janë mohuar të drejtat themelore, në procesin e paraburgimit e proceset tjera”, tha Shala. /Zëri