Zhbërja e Speciales, Kusari-Lila: Hapat e ardhshëm s’duhet të jenë as të ngutshëm, as emocionalë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për Ekonominë Online lidhur me raportimet në media për nismën e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë lidhur me zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kusari-Lila tha se nuk dëshiron të gjykojë për nismën, por theksoi se ekziston një mospërputhje në veprimet e PDK-së, pasi kjo parti ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Tani unë nuk jam të gjykoj për këtë iniciativë, megjithatë ka një ndeshje të veprimeve dhe logjikës nga Partia Demokratike për arsye se ata kanë kontestuar tashmë në Gjykatën Kushtetuese edhe seancën edhe formimin e Qeverisë. Në anën tjetër është shumë e rëndësishme që të kemi institucione dhe të kemi vendimmarrje të plotë”, tha ajo.
Duke folur për vendimin e djeshëm të Gjykatës në Hagë dhe dënimet ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kusari-Lila tha se vendimi ka shkaktuar tronditje dhe rëndesë të madhe, duke theksuar se hapat e ardhshëm duhet të jenë të menduar mirë dhe jo të nxituar apo emocionalë.
“Përderisa ajo çka ka ndodhur dje na ka tronditur të gjithëve në kuptimin më negativ të fjalës, në atë se sa të rënduar jemi ndjerë me peshën e dënimit që i është dhënë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hapat e ardhshëm nuk duhet të jenë as të ngutshëm e as emocionalë, duhet të jenë të menduar mirë dhe duhet bërë të gjithë përpjekjet maksimale edhe në aspektin institucional shtetëror por edhe partiak të të gjithëve që të sigurojmë se cila është rruga më e sigurt drejt lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha tutje ajo për Ekonominë Online.
Kusari-Lila u shpreh se vendimi është i shkallës së parë dhe se ekziston mundësia e apelimit.
Ajo ka bërë thirrje që mekanizmi i apelit të shfrytëzohet dhe të ketë mobilizim të menjëhershëm.
“Është fat në fatkeqësi që është dënimi në shkallën e parë dhe ekziston apelimi, mekanizmi i apelit me të cilin duhet mobilizuar menjëherë”, u shpreh ajo.
Ministrja tha gjithashtu se çështja nuk duhet parë vetëm në aspektin ligjor, por edhe si çështje politike dhe shtetërore. Për këtë arsye, sipas saj, duhet të ketë koordinim dhe unitet në qëndrime.
“Ndërsa në diskutimet e tjera, prapë po e thashë se çështja përveçse ligjore është edhe politike dhe shtetërore, prandaj duhet të ketë edhe koordinim edhe bashkim e unitet në qëndrime për arsye se kjo nuk është një betejë politike që do të fitojë dikush ndaj dikujt, kjo është betejë e gjithë Republikës së Kosovës“, tha tutje ajo.
Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, duke përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Dhe Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.