Hamza: Do të takohem me liderët e partive politike
Foto: Laura Hasani

Hamza: Do të takohem me liderët e partive politike

Aktuale September 17, 2026 - 13:45

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se vendimi i djeshëm i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë, i paqëndrueshëm dhe i pabazuar në fakte.

Pas mbledhjes së PDK-së, Hamza tha se ky vendim dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Sot, PDK-ja ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte, është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Hamza.

Ai tha se PDK-ja do të bëjë përpjekje për të komunikuar me subjektet e tjera politike, duke e konsideruar situatën të ndjeshme dhe serioze.

“PDK-ja do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës”, tha ai.

Hamza shtoi se beson se do të takohet me liderët e subjekteve politike, pasi kjo çështje nuk i takon vetëm një subjekti politik.

“Besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik. Besoj në bashkëpunimin mes partive politike dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm”, deklaroi Hamza. /Zëri