Kandiqi ua përplas serbëve të vërtetën e luftës: Për vetëm 78 ditë policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7 mijë civilë
Foto: Laura Hasani

Kandiqi ua përplas serbëve të vërtetën e luftës: Për vetëm 78 ditë policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7 mijë civilë

Aktuale September 17, 2026 - 14:37

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq, pas reagimit ndaj Ivica Daçiqit, sot i është përgjigjur edhe një qytetareje serbe, duke i përmendur të dhënat për luftën në Kosovë dhe duke theksuar se plani serb për Kosovën ishte zvogëlimi i popullsisë shqiptare në 5 për qind. Një qytetar serb i ka reaguar Kandiqit, duke fajësuar shqiptarët e Kosovës për fillimin e luftës. Kandiqi nuk ka vonuar me përgjigjen, duke kundërshtuar pretendimin e saj dhe duke theksuar rolin e Serbisë në luftën dhe krimet e kryera në Kosovë.

Kandiqi ka thënë se “nuk ka luftë pa Serbinë” dhe se plani i Serbisë për Kosovën ishte që të zvogëlonte popullsinë shqiptare në 5 për qind.

Ajo ka theksuar se nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, për vetëm 78 ditë, policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7 mijë civilë shqiptarë.

“Pikë injorance. Nuk ka luftë pa Serbinë. Plani serb për Kosovën ishte të zvogëlonte popullsinë shqiptare në 5% – 800,000 të dëbuar. Vetëm në 78 ditë, nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7,000 civilë shqiptarë që nuk morën pjesë në konfliktin e armatosur”, ka shkruar ajo në X.

Ajo gjithashtu ka theksuar se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj vendimit në Hagë është e justifikueshme, duke ngritur njëkohësisht çështjen e mungesës së ndjekjes penale në Serbi ndaj komandantëve të lartë të ushtrisë jugosllave dhe MUP-it për operacionet në Kosovë.

“Njëzet e shtatë vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i ushtrisë jugosllave apo MUP-it nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet gjatë të cilave u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të përcaktuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë lidhur me veprimet e njësive të UJ-së dhe MUP-it dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht u dënuan”, ka shkruar Kandiqi.